Transmetuar më 05-10-2017, 12:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apelon të gjithë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje që të deklarojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet në fushatë.

Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, në një dalje për mediat ditën e sotme tha se partitë politike kanë detyrimin që 60 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve që të dorëzojnë pranë KQZ-së raport që përmban në mënyrë të saktë të ardhurat e përfituara apo që partia politike ka patur në gjendje, të gjitha shpenzimet e kryera në mënyrë të detajuar, bilancin e pasurive apo detyrimet që ka partia politike, për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve.

Ligji “Për partitë politike “i ndryshuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 90/2017, datë 22.05.2017, ka përcaktuar që çdo parti politike që është regjistruar në zgjedhje duhet të bëjë publik dhe të dorëzojë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një raport për deklarimin financiar të fushatës.

Ajo bëri me dije se afati i ligjor për zbatimin e këtij detyrimi ligjor nga ana e partive politike ka qenë data 25 shtator 2017 dhe se nisur nga fakti që ky raportim bëhet për herë të parë për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, KQZ ka komunikuar në mënyrë intensive me financiarë te partive politike duke ju kërkuar zbatimin e ligjit “Për partitë politike” dhe dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore.

Hoxhaj tha se deri tani, nga 18 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, pranë KQZ-së e kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore vetëm 8 parti politike.

Në zbatim të ligjit “Për partitë politike” i ndryshuar, ajo bëri me dije se KQZ do të marrë masa administrative për partitë politike të cilat kanë shkelur ligjin.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon intensivisht për verifikimin e raporteve të dorëzuara nga partitë politike nëse janë në përputhje me formatin e miratuar nga KQZ.

Raportet e dorëzuara pranë KQZ-së, do të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së, cec.org.al, brenda muajit tetor. /a.y/noa.al