Transmetuar më 05-10-2017, 12:45

Kryeministri Edi Rama deklaron se do marrë fund burokracia për njerëzit, duke u kërkuar qytetarëve që nga pikat e shërbimeve të mos marrin më certifikata personale apo familjare.

Në një konferencë për mediat nga Kryeministria ditën e sotme, Rama tha se qytetarët duhet të refuzojnë çdo kërkesë për të marrë certifikatë në letër dhe të kërkojnë në sportel që cilido që kërkon një gjë të tillë ta bëjë vetë.

“Certifikatat familjare apo personale janë në sistem dhe nga sistemi zyra e shërbimeve të shtetit duhet ti nxjerrin në sistem pa asnjë qindarkë. Nga ana tjetër, pensionistët nuk kanë më arsye për të marrë vërtetim pensioni, karta e shëndetit, për gjendjen aktive të mjetit, vërtetime për legalizimit, kopje e pasurisë. Janë të gjitha letra e dokumente që deri dje u nxinin jetën qytetarëve në radhë e me shpenzime përkatëse por që sot qytetarët duhet të refuzojnë çdo zyrë që ua kërkon këto të printuara në letër”, u shpreh Rama.

Në vijim shtoi se aty ku për shkak të shërbimit këto dokumente kërkohen i kërkon punonjësit që t’i nxjerrë.

Ai bëri me dije se së fundmi edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë ka urdhëruar të gjithë institucionet në varësi që të mos kërkojnë një sërë dokumentesh si certifikatën e regjistrimit në QKV, ekstraktin historik të kompanisë, vërtetimin për kontributet e sigurimeve, vërtetim xhiroje për tre vitet e fundit, etj.

Sipas kreut të qeverisë, kjo do të thotë 56 vjet pritje në harkun e një viti që konsumohen nga qytetarët dhe kompanitë për të marrë vërtetime, dokumente dhe certifikata.

Më tej shkarazi ai ka thumbuar dhe Lulzim Bashën pas përjashtimit nga seanca parlamentare e ditës së sotme.

Duke ju drejtuar gazetarëve tha se, “Ju që jeni këtu do ju lutesha që paralelisht me çështjet e mëdha të këtij kombi siç është zënia e foltores dhe loja e ka kush e ka, të ndihmoni të çlirohen sa më shpejt njerëzit nga burokracia”. /a.y/noa.al