Transmetuar më 05-10-2017, 13:13
Publicitet

Ndërpritet për të katërtën herë seanca parlamentare e ditës së sotme, pasi kreu i opozitës Lulzim Basha, bashkë me deputetët e Partisë Demokratike, nuk lirojnë foltoren.

Në rinisjen e punimeve në orën 13.00, për shkak se situata nuk kishte asnjë ndryshim, kryeparlamentari Gramoz Ruçi e shtyu seancën për në orën 18.00.

Më herët Lulzim Basha u përjashtua nga seanca parlamentare, teksa opozita kërkonte diskutim për komisionin e reformës zgjedhore.

Edhe pas kësaj mase Lulzim Basha dhe deputetët e Partisë Demokratike nuk u larguan nga foltorja, çka bëri që kryeparlamentari Gramoz Ruçi të ndërpriste seancën.

Duke parë pamundësinë e vijimit normal të seancës, ai lexoi rregulloren e Kuvendit, duke thënë se në rast se rrëmuja vazhdon pezullohet seanca.

Ai tha se masa e parë që parashikon ndërprerje të seancës u zbatua, masa e dytë bëri me dije, është pezullimi i seancës për një periudhë kohe të caktuar.

Në këtë linjë tha se “Në rast se situata vazhdon seanca shtyhet për ditën e nesërme”.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi duke lexuar pjesë të rregullores, përjashtoi me një ditë nga seanca, kreun e opozitës.

Ai tha se përjashtimi shoqërohet edhe me heqjen e një dite nga paga e deputetit.

Ndërsa Ruçi i bëri thirrje që të largohej nga foltorja duke i thënë se nuk do donte që masën e parë ndëshkuese ta merrte ndaj liderit të opozitës, Basha vijoi të qëndronte, çka bëri që kryeparlamentari të marrë masën drastike.

Gjithçka ndodhi pasi Ruçi u përfshi në debat me kreun e opozitës Lulzim Basha, gjatë kohës që diskutohej ngritja e komisionit të reformës zgjedhore.

Kjo pasi opozita po kërkon debate për këtë komision dhe kërkon që ky debat të zhvillohet pasditen e sotme.

Kurse grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkojnë që debati të zhvillohet në një seancë tjetër.

Kryedemokrati Lulzim Basha i kërkoi kryeparlamentarit që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve.

Ai akuzoi se kërkohet që t’i mbyllet goja opozitës, duke mos u larguar nga foltorja, ku kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë deri në orën 18.00./a.y/noa.al