Transmetuar më 05-10-2017, 16:51

Gjykata e Durrësit ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe vendosi të zhvillojë gjykimin për ekstradimin e Alket Hatijas drejt Italisë.

Në seancën e parë, mbrojtja kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të mos nisë, me pretendimin se Hatija ka vuajtur në Shqipëri dënimin për veprat penale për të cilat kërkohet nga autoritetet italiane.

Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi që të zhvillohet procesi gjyqësor, në të cilin do të shqyrtohen faktet penale në ngarkim të Alket Hatijas.

Sipas mediave italiane, hetimet e policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Milanos kishte marrë ndaj tij vendimin përfundimtar duke e dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas investigimeve, bashkëpunimi i Interpolit me Policinë shqiptare kishte mundur të identifikonte se Alket Hatija jetonte në një vilë luksoze me bunker në zonën e Beratit i rrethuar nga rojet personale të armatosura.

Sipas mediave italiane shqiptari, Alket Hatija ishte një trafikant i madh droge që vetëm me anë të celularit ishte i aftë të trafikonte drejt Italisë qindra kg lëndë narkotike. Droga hynte në Itali përmes kamionëve e automjetve me targa europiane që kapërcenin kufirin në veri të Italisë e portet italiane.

Alket Hatija u arrestua në qytetin e Durrësit ndërsa po takohej me një mikun e tij.Por dje Gjykata e Durrësit e la të lirë. Mësohet se gjykatësi Petraq Curi ka rrëzuar kërkesën e prokurorit për të mbajtur në qeli, Hatijan deri në vendimin për ekstradimin në shtetin fqinj. Lënia në liri është dhënë me argumentin se i ndaluari ka vuajur dënimin në Itali. /b.l/noa.al/