Transmetuar më 05-10-2017, 18:16
Publicitet

Në përfundim të seancës parlamentare, kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha tha se ajo që ndodhi sot është aplikim i diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës.

Në këto kushte, Basha tha se opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’u bëjë thirrje shqiptarëve të marrin në dorë Parlamentin.

“Javën e kaluar, Edi Rama i preu zërin dhe figurën Parlamentit. Sot urdhëroi ministrin e Sigurimit të Shtetit të aplikonte format e diktaturës komuniste për ti mbyllur gojën opozitës. Parlamenti është vendi ku opozita ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për debat dhe fjalën e lirë.

Nëse kjo e drejtë shkelet, nëse Rregullorja e Parlamentit shkelet, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë frikë të përballen me të vërtetën e Shqipërisë nën thundrën e krimit të bërë njësh me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin,  atëherë ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt.

Me fjalë të tjera, nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe, dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëhere ka ardhur koha të themi të vërtetën troç, paqja sociale është e rrezikuar, bashkëekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta por, detyrimi, ti bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre", tha Basha.

Nuk dihet se çfarë ka dashur të thotë z. Basha kur deklaroi se do të ftojë shqiptarët të marrin në dorë Parlamentin, nëse i referohet organizimit të ndonjë proteste. /k.k/noa.al/