Transmetuar më 05-10-2017, 18:38
Publicitet

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në përfundim të seancës së sotme plenare tha se kreu i Kuvendit nuk ka kryer asnjë shkelje të neneve të rregullores së kuvendit dhe këtë sipas tij, nuk e thotë as opozita. Ai tha se PD po e përdor një rast të tillë për ta kthyer në kauzë, por sipas Ballës nuk mund të jetë e tillë.

“PD dhe deputetët e saj kanë thyer rregulloren me të dyja këmbët dhe thirrja ime ka qenë miqësore që të gjendej një zgjidhje gjithmonë brenda kuadrit të rregullores. Në përfundim të kësaj seance, Konferenca e Kryetarëve të rimerrte në diskutim atë që u votua dje. Jam i bindur se kërkohen kauza sepse e dimë hallin e PD, por këto nuk mund të bëhen në kurriz të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Balla.

Më tej Balla shtoi se nenet e rregullores sot u zbatuan ashtu siç parashikohen, dhe sipas tij ato janë të njëjta ndaj çdo deputeti.

“Kushdo qoftë se do të bënte të njëjtat shkelje i njëjti vendim do të jetë. Dua t’i them gjithë publikut shqiptar që nëse ka një nen të shkelur nga kryetari i Kuvendit, Lulzim Basha dhe PD kanë të drejtë ta thonë. Nuk gjejnë dot një nen të rregullores që të jetë shkelur në punimet e Kuvendit. Koha kur Kuvendi ishte një teatër jo i këndshëm ka mbaruar një herë e përgjithmonë dhe sot është rasti më i mirë për t’i thënë çdo deputeti që për sa i përket Rregullores së Kuvendit jemi të gjithë të barabartë. Edhe mua si kryetar i grupit parlamentar më është ndërprerë fjala kur kam kaluar minutazhin që më takon”, tha Balla.

Më tej ai u pyet nëse do të ketë një seancë të posaçme për diskutimet e Kodit Zgjedhor, sipas të cilit seanca do të jetë të enjten e ardhshme.

“Rregullorja e Kuvendit lë hapësira për kërkesa për debat, por duhet që çdo grup parlamentar të respektojë edhe grupet e tjera parlamentare. Ju keni parë që grupet e PS dhe LSI morën atë vendim për ta shtyrë. Mund të thoja se për këtë çështje nuk do të ketë diskutime, por propozuam që kjo çështje mund të hiqet nga rendi i ditës nëse në favor të saj votojnë më shumë se gjysma e deputetëve të pranishëm. Asnjë deputet, qoftë ky edhe kryetari i PD të çohet dhe të kërkojë thirrjen e Konferencës së Kryetarëve”, përfundoi Balla.

Ndërsa më herët kreu i PD-së Lulzim Basha tha se ajo që ndodhi sot është aplikim i diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës. Në këto kushte, Basha tha se opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’u bëjë thirrje shqiptarëve të marrin në dorë Parlamentin.

“Sot, ky Parlament aplikoi formën e diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën e opozitës, çka na kthen pas në kohë. Nëse në këtë Parlament vendose të rikthehet regjimi diktatorial ka ardhur koha që të themi të vërtetën troç. Opozitës i lind e drejta që të thërrasë shqiptarët të marrin në dorë Parlamentin. Pas këtij atentati grupi i PD-se do të shikojë se si do të dalin nga kjo krizë. Nuk do të lejojmë që Ruçi dhe Rama të na kthejnë pas 30 vite" tha Basha.

Nuk dihet se çfarë ka dashur të thotë z. Basha kur deklaroi se do të ftojë shqiptarët të marrin në dorë Parlamentin, nëse i referohet organizimit të ndonjë proteste. /b.l/noa.al/

Loading...