Transmetuar më 05-10-2017, 19:46

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për atë që ndodhi ditën e sotme në seancën parlamentare, ku u përjashtua kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në facebook, kreu i qeverisë ka shkruar se opozita nuk ka ide edhe pse mazhoranca, sipas tij, i dha konsensus.

Për Ramën, gjithë çfarë ndodhi në Parlament ka një përgjegjës, që është Partia Demokratike.

“S’kanë ide duan sherr. U dhamë konsensus për atë që donin, po prapëseprapë e bllokuan foltoren. A di të ma thotë kush si mund të ndihmohen?”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka thirrur mbledhjen urgjente të grupit parlamentar, për të dalë me një qëndrim mbi atë çfarë ndodhi në seancë.

Kujtojmë, opozita kishte depozituar në Kuvend listën e deputetëve për të diskutuar për komisionin e reformës zgjedhore, por PS e LSI deklaruan se nuk ishin gati.

Çështja u hodh në votim dhe u vendos që diskutimet të shtyhen javën e ardhshme, ndërsa opozita kërkoi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Gjithë debati u pasua me përjashtuimin e Bashës nga Parlamenti, ndërsa ky i fundit refuzoi të braktisë sallën.

E vetme, mazhoranca miratoi pikat e rendit të ditës. /k.k/noa.al/