Transmetuar më 05-10-2017, 20:52

Atentatet me eksploziv pranë biznesit dhe automjetit të një gruaje në Tiranë, mund të jenë mesazhe që i drejtohen djalit të saj 26-vjeçar, që ndodhet i arrestuar në Londër i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Hetuesit në Tiranë do të kërkojnë zyrtarisht ndihmën e kolegëve britanikë për lidhjen e ngjarjeve në kryeqytetin shqiptar me luftën mes dy grupeve kriminale, në kryeqytetin britanik.

Bruna Aliaj, 55 vjeçe, është vënë sërish në shënjestër të sulmeve me eksploziv.

Paraditen e së mërkurës, në hyrje të dyqanit të saj pranë Tregut Elektrik në kryeqytet është gjendur një kallëp tritoli me fitil përcjellës e bërë gati për shpërthim.

Ky është rasti i dytë që 55-vjeçarja bëhet objekt sulmi me eksploziv.    Hera e parë ndodhi mbrëmjen e 1 majit 2017, kur automjeti i saj tip “Smart” shpërtheu pranë Prokurorisë së Përgjithshme ku ka dhe banesën. Ngjarja ndodhi kur ajo gjendej në Itali.

Megjithëse Aliaj mohon se ka konflikte dhe kërcënime, e vërteta sipas hetuesve qëndron ndryshe. Një burim i tha “Klan Plus” se në të dy rastet tritoli është një mesazh që i dërgohet djalit të 55-vjeçares.

M.M., prej vitesh emigrant në Britaninë e Madhe është një person i njohur për autoritet policore të Londrës. Sipas të dhënave nga Agjencitë ligjzbatuese në Britaninë e Madhe, 26-vjeçari është i dyshuar si i përfshirë në trafikun e drogave të forta.

Gjashtë muaj para eksplozivit të parë që shpërtheu në makinën e nënës së tij, M.M., u arrestua në Londër në një operacion ndërkombëtar me përfshirjen edhe të FBI-së, për pastrim parash së bashku me një shtetas spanjoll dhe një çift kinez me shtetësi gjermane dhe franceze.