Transmetuar më 06-10-2017, 00:27

Për herë të parë, kreu i opozitës Lulzim Basha pranoi se përgjegjësia për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, ishte e tija.

Këtë gjë ai e ka thënë gjatë mbrëmjes që lamë pas në emisionin Top Story përballë gazetarit Sokol Balla.

Basha ka deklaruar se “e kam bërë fare të qartë që nëse dikush duhet të analizohej gjatë atij procesi isha unë dhe përgjegjësitë e mia si kryetar”.

“Përgjegjësia kryesore për rezultatin e zgjedhjeve natyrisht i takon kryetarit, më takon mua. Unë e kam bërë këtë proces analizë, sepse nuk mund t’i ikja, edhe gjatë procesit të zgjedhjes për Kryetar të PD. E kam bërë fare të qartë që nëse dikush duhet të analizohej gjatë atij procesi isha unë dhe përgjegjësitë e mia si kryetar. Për pjesën që i takon PD, pra për pjesën objektive brenda nesh, se mos harroni që ne dolëm nga një luftë. I themi zgjedhje, por ishin luftë, me krimin e organizuar të lidhur në aleancë me kundërshtarin politik. Pra, ka dhe një faktor objektiv, por për sa i përket faktorit të brendshëm, padyshim që përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja”, tha Basha.