Transmetuar më 06-10-2017, 08:24

Një operacion antidrogë i koduar “Stan” ka zbuluar plot 67.7 kilogramë kanabis sativa, duke vënë në pranga tre persona, anëtarë të një familje.

Burime policore bëjnë me dije se në pranga janë vënë babai me dy djemtë e tij: Mitat Stani, 58 vjeç, Përparim Stani, 30 vjeç dhe Arti Stani, 28 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec.

Operacioni erdhi pas informacioneve të marra më parë në rrugë operative se në ambientet e banesës së tyre shtetasit Mitat, Përparim dhe Arti Stani posedonin sasi lënde narkotike dhe po përgatiteshin për shitje e trafikim të saj, u shkua dhe u bë kontroll në këtë banesë.

Nga kontrolli i ushtruar në një serë perimesh e mbuluar me plasmas, pranë banesës së tyre, u gjendën të groposura 4 fuçi plastike të mëdha të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale lënda narkotike me peshë 67.7 kilogramë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se poseduesit e lëndës narkotike, po përgatiteshin që ta trafikonin jashtë vendit me destinacion Italinë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /b.l/noa.al/