Transmetuar më 06-10-2017, 11:02

Dy persona janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të shtetasit Genc Mëhillaj ndodhur 1 vit më parë në fshatin Mali i Jushit në Shkodër.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm strukturat e Sektorit për Krimet e Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me FNSH-në Tiranë, bazuar në informacione të marra në rrugë policore, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "One Year".

Si rezultat i tij, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e dy personave të shpallur në kërkim: Lin Mujeci, 38 vjeç, dhe Kreshnik Mujeci, 30 vjeç, të dy banues në Torovicë, Lezhë.

Arrestimi i tyre erdhi pasi dy vëllezërit dyshohen si autor të vrasjes së Genc Mëhillaj ngjarje e ndodhur më 06 tetor 2016, në fshatin Mali i Jushit në Shkodër.

Për këta persona Prokuroria e Shkodrës ka lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale: "vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Për kryerje të veprimeve të mëtejshme procedurale këta persona iu vunë në dispozicion strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. /b.l/noa.al/