Transmetuar më 06-10-2017, 13:49

Një i ri nga Peshkopia ka përfunduar i arrestuar pasi dyshohet si shpërndarës i lëndëve narkotike në lokale dhe në ambientet e jashtme të shkollave. Në pranga është vënë Arsen Cibaku, 20 vjeç, banues në Peshkopi.

Policia e Dibrës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se ky person dyshohej se shpërndante lëndë narkotike në lokale, ambientet e jashtme të shkollave, apo në qendrën e internetit pronë e tij, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin për kapjen e 20 vjeçarit.

Si rezultat i operacionit, efektivët e policisë gjatë kontrollit të ushtruar në qendrën e internetit në pronësi të tij gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike e llojit kanabis sativa, që dyshohet se ua shiste në doza të vogla klientëve të tij.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestua në flagrancë Arsen Cibaku për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndës narkotike”. 

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme. /b.l/noa.al/