Transmetuar më 08-10-2017, 19:26
Publicitet

Një raport i Institutit shqiptar të Statistikave për pesë vitet e fundit, 2012-2016, sugjeron se shqiptarët që jetojnë në jugun e vendit, në kufi me Greqinë, jetojnë më gjatë kurse ata që jetojnë në veri, në kufi me Kosovën, vdesin më shpejt.

Raporti i INSTAT, i cili vjen analitik dhe të plotë e gjeni këtu, analizon me detaje, të dhëna sociale dhe ekonomike dhe del në konkluzionet që noa.al jua sjell në vijim.

Në përgjithësi për vendin, viti 2016 e gjeti popullsinë me vdekshmëri mesatare 73.7 vjeç. Kështu, ndonëse shumë të rinj e të reja kanë humbur tragjikisht jetën në aksidente dhe krime, sërish mosha e vdekshmërisë mesatare mbetet e lartë në Shqipëri.

INSTAT evidenton se vdekshmëria është më e shpejtë në Kukës. Ky qark e ka më të ulët moshën mesatare të jetës duke pasur vdekshmëri 70 vjeç.

Kurse e kundërta ndodh me Qarkun e Gjirokastrës, që evidentohet me një moshë mesatare vdekjeje 76.7 vjeç. 

Vdekjet

Në vitin 2016, numri i vdekjeve në Shqipëri është rreth 21,4 mijë, nga të cilat peshën më të madhe sipas shkakut të vdekjes e zënë sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, që përbëjnë 51,7 % të numrit të vdekjeve gjithsej. Në këtë vit, koefiçienti sipas shkakut të sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut është 38,4 vdekje për 10 mijë banorë. Qarku i Beratit ka koefiçientin më të lartë specifik të vdekshmërisë së kësaj sëmundjeje, 49,8 vdekje për 10 mijë banorë ndjekur nga qarku i Gjirokastrës me 48,8 vdekje për 10 mijë banorë. Qarqet me numrin më të ulët të vdekjeve nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut për 10 mijë banorë janë Elbasani, Durrësi dhe Tirana.

Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar pas vitit 2001. Ritmi i rënies së popullsisë ka qenë më i lartë përgjatë viteve 2001- 2010, ndërkohë që pas vitit 2010 ritmi i rënies së popullsisë është zvogëluar.

Në këtë rënie të popullsisë një ndikim të konsiderueshëm ka migracioni neto dhe më pak shtesa natyrore e popullsisë.

Pavarësisht rënies në përgjithësi të popullsisë, nuk mund të përgjithësohet për të gjitha qarqet. Ekzistojnë qarqe si Tirana dhe Durrësi, të cilat gjatë pesë viteve të fundit kanë pësuar rritje të numrit të popullsisë.

Qarku i Vlorës reflekton një rritje të lehtë gjatë vitit 2016, por gjatë viteve 2012-2016 ky qark ka luhatje. Ndërkohë që qarqet e tjera të vendit kanë pësuar një rënie në numrin e popullsisë.

INSTAT pranon zyrtarisht se popullsia e Shqipërisë po shkon drejt procesit të plakjes si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë dhe për më tepër emigracionit i cili vazhdon të mbetet veprues dhe përfshin një popullsi relativisht të re.

Dendësia e popullsisë

Qarku i Tiranës shënon dendësinë e popullsisë më të lartë në vend, rreth 520 banorë për kilometër katror, në vitin 2016.

Dendësia e popullsisë në mes të vitit 2016 është 100 banorë për km2 , vlerë e cila ka pësuar ndryshime shumë të vogla në pesë vitet e fundit.

Shpërndarja e dendësisë sipas qarqeve tregon se vetëm 3 qarqe kanë dendësi mbi 150 banorë për km2.

Dendësitë më të larta të popullsisë janë përqendruar në zonat qendrore të vendit. Qarku i Tiranës i cili përfshin edhe kryeqytetin e Shqipërisë ka dendësinë më të lartë me 516 banorë për km2.

Qarku i dytë me dendësinë më të lartë është Durrësi me 369 banorë për km2 ndjekur nga qarku i Fierit me 161 banorë për km2.

Nga ana tjetër kemi vetëm dy qarqe dendësia e të cilëve është nën 40 banorë për km2.

Dendësia më e ulët përqendrohet në zonat më periferike të vendit, në qarkun e Kukësit në verilindje dhe qarkun e Gjirokastrës në juglindje. Ky i fundit ka dhe dendësinë më të ulët në territorin e Shqipërisë, rreth 23 banorë për km2.

Struktura e popullsisë

Në vitin 2016, në totalin e popullsisë mesatare të Shqipërisë, të rinjtë (0-14 vjeç) zënë rreth 18,0 % të popullsisë gjithsej, ndërsa popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) zë rreth dy të tretat (69,0 %) të popullsisë gjithsej, duke lënë kështu vetëm 13,0 % të popullsisë gjithsej për popullsinë në moshën 65 vjeç e lart. Struktura e popullsisë së 12 qarqeve të vendit, duke marrë në konsideratë tre grupmoshat e mëdha të popullsisë në vitin 2016, tregon se peshën më të madhe në popullsinë e secilit qark, e zë grupmosha (15-64), pra popullsia në moshë pune.

Diferenca mjaft të vogla mund të vihen re tek grupmosha e të moshuarve (65+), ku qarku i Dibrës shënon përqindjen më të ulët të popullsisë së të moshuarve prej 12,2 %, ndërkohë që vlera më e lartë shënohet në qarkun e Lezhës ku të moshuarit zënë rreth 13,6 % të popullsisë respektive. Për sa i përket grupmoshës së të rinjve diferencat janë më të dukshme: qarku i Vlorës ka përqindjen më të ulët të popullsisë së të rinjve prej 17,1 %, ndërkohë që vlera më e lartë shënohet në qarkun e Kukësit ku të rinjtë zënë rreth 21,1 % të popullsisë respektive për vitin 2016.

Ndryshimi i popullsisë

Nga 1 Janari 2012 deri në 1 Janar 2017 popullsia e vendit tonë është zvogëluar me rreth 26 mijë banorë, ekuivalente kjo me një normë rritjeje negative prej 0,18 % çdo vit. Ndryshimet në popullsi vijnë si rezultat i dy komponentëve: shtesës natyrore të popullsisë dhe migracionit neto. Këta komponentë mund të kombinohen në mënyrë që të kemi rritje të popullsisë (migracion neto pozitiv dhe shtesa natyrore në rritje) ose rënie të popullsisë (migracion neto negativ dhe shtesë natyrore në rënie) ose mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin. Migracioni neto negativ ka luajtur një rol thelbësor në rënien e popullsisë në vendin tonë, por pavarësisht kësaj shtesa natyrore ka ardhur në rënie dhe, edhe pse vazhdon të jetë pozitive nuk mund të plotësojë boshllëkun që shkakton migracioni neto.

Në figurën e mëposhtme jepet një paraqitje e dy koefiçientave mesatarë të ndryshimit të popullsisë dhe shtesës natyrore për secilin qark për vitet 2012-2016. Për të mundësuar një krahasim përfshihen edhe koefiçientët mesatar të ndryshimit të popullsisë dhe shtesës natyrore në vend për vitet 2012-2016. Koeficienti mesatar i ndryshimit gjithsej të popullsisë është negativ në nivelin 0,18 përqind ndërkohë që koefiçienti i ndryshimit të popullsisë për qarqet shënon vlera më të ulta apo më të larta. Qarqet të cilët shënojnë një koefiçient të ndryshimit të popullsisë më të lartë se ai gjithsej, madje edhe pozitiv, janë Tirana dhe Durrësi me përkatësisht 2,0 dhe 0,9 %. Qarqet si Vlora dhe Berati kanë pothuajse koefiçientë të përafërt ndryshimi të popullsisë krahasuar me koefiçientin e ndryshimit të popullsisë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, të gjithë qarqet e tjera shënojnë një koefiçient të ndryshimit të popullsisë më të ulët se ai gjithsej. Koefiçientin më të ulët të ndryshimit të popullsisë e ka qarku i Gjirokastrës me një rënie prej 2,9 %. Koefiçienti i ndryshimit mesatar të shtesës natyrore 2012- 2015 për secilin qark në krahasim me koefiçientin gjithsej të ndryshimit të shtesës natyrore ka ndryshime të lehta. Këtu mund të veçohet qarku i Kukësit i cili ka një ndryshim të dukshëm, ku koefiçienti mesatar i ndryshimit të shtesës natyrore është më i lartë se koefiçienti gjithsej, ndërsa e kundërta ndodh me qarkun e Gjirokastrës ku ky koeficient është më i ulët se ai gjithsej, madje negativ.

RAPORTII PLOTË