Transmetuar më 10-10-2017, 09:34

Organizimi i një mbrëmje gala në ambientet e hotel Rogner, ishte përzgjedhja e “Lufrës” për të falenderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në “rrugën e vet të qumështi”- siç i është referuar edhe vetë themeluesi i saj Z. Arben Ndreka.

Ndër 300 të ftuarit e përzgjedhur me këtë rast nuk mungonin administratorët e fermave më të mëdha në vend, të cilët i ofrojnë kompanisë qumështin e tyre më cilësor, klientë dhe bashkëpunëtorë apo edhe përfaqësues të mediave kryesore në vend dhe personazhe VIP si Ermal Mamaqi, Robert Aliaj, Orinda Huta, Turjan Hyska etj., apo politikanë dhe deputetë nga fushat e bujqësisë dhe ekonomisë.

Hapat e parë të kompanisë “Lufra” nisën në një nga dhomat e shtëpisë ku prodhohej vetëm djathë i bardhë. Ndërsa me kalimin e viteve, themeluesit Antoneta Ndreka dhe Arben Ndreka e kanë kthyer “Lufrën” në kompaninë lider në tregun e bulmetit me një teknologji moderne dhe bashkëkohore, e cila sot numëron mbi 200 punonjës.

Gjatë mbrëmjes kompania vlerësoi me çmime “për kontribut të çmuar gjatë këtyre viteve” edhe dy punonjësit e saj më të vjetër të cilët kishin mbi 20 vite që ishin pjesë e kompanisë.

Emri “Lufra” vjen nga bashkimi i emrave të dy djemve, Luisi dhe Franci të cilët e quajnë “Lufrën” një rrugëtim të pandalur që ecën vetëm përpara. “Në çdo ditë të jetës së vet ka qenë një kompani që ka sjellë produktin e bulmetit nga familja jonë te çdo familja shqiptare dhe do vazhdojë të jetë një kompani shqiptare që do sjellë produktin nga familja jonë në çdo familje shqiptare, ballkanase apo evropiane dhe globale”, tha Luisi.

“Vëllai im dhe unë jemi shumë krenarë që mbajmë emrin e kësaj kompanie të madhe dhe jemi entuziastë në zgjerimin e saj. Jam i lumtur që në këtë ditë jo vetëm po festoj të kaluarën, por po mirëpres dhe të ardhmen”, tha Franci.

Në këtë vit “të artë”, përveç pozicionit lider në tregun vendas “Lufra” po synon eksportet jashtë vendit, për shkak të përbërësve natyralë dhe standardeve europianë të cilësisë. Sigurisht jo rrallëherë janë dhënë goditje “poshtë rripit” nga konkurrentët, por vazhdimin e garës e përcakton vetë konsumatori i cili me sa duket ka ngritur dorën e familjes Ndreka…