Transmetuar më 12-10-2017, 10:38

Në vijim të vizitës zyrtare, Presidenti Ilir Meta u takua sot me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.

Presidenti Meta e uroi Veselin për rizgjedhjen në postin e kryeparlamentarit të Kosovës dhe shprehu besimin se projektet e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do të vijojnë sipas frymës së shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore ndërshtetërore.

Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe shoqëria e saj, si liberalizimi i vizave nga Bashkimi Europian, demarkacioni me Malin e Zi dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqendrohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme dhe mbështetjen e iniciativave të ndryshme në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe euroatlantike të vendit.

Meta e siguroi Veselin për vazhdimin e mbështetjes së fuqishme e të gjithanshme të Shqipërisë ndaj agjendës europiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimit të saj të plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Meta dhe Veseli shprehën mbështetjen për agjendën e përbashkët të dy qeverive dhe përgatitjen për takimin e radhës, duke shprehur besimin se ky takim do të konkretizohet me projekte zhvillimore infrastrukturore, por edhe të veprimit të përbashkët diplomatik. /a.y/noa.al