Transmetuar më 12-10-2017, 12:15

Ish- kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara sot në kuvend, ku jashtë ambjenteve të tij, është shprehur se është ofenduar, ndërsa akuzoi kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi se po shkatërron parlamentin. Pas ndërprerjes së seancës, Berisha tha se Ruçi i mohon të drejtën e fjalës për procedurë.

“Ministri i fundit i policisë kriminale terroriste të diktaturës hoxhiste ka marrë përsipër një mision, shkatërrimin përfundimtar të institucionit qendror të demokracisë që është parlamenti. Ai për herë të dytë ju mohon të drejtën e fjalës për procedurë e cila është e drejta më bazike, jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por në të gjithë parlamentet e botës dhe asambletë parlamentare, përfshi këtu edhe samitin e OKB. E drejta e procedurës nuk mund të shkelet kurrë. E shkel vetëm një njeri që do të shkatërrojë parlamentin shqiptar”, u shpreh Berisha.

Më tej ish-kryeministri theksoi se “Këta kanë frikë dhe nga parlamenti, por të jenë të sigurtë që çmimin më të madh do ta paguajnë ata vetë. Nuk ka ndodhur kurrë në histori që në mënyrë kaq të vendosur të mos repsketohet e drejta e fjalës për procedurë”.

Ndërsa i pyetur nëse është e vërtettë që kryeministri Rama e ka ofenduar, Berisha u shpreh se problemi themelor është se kemi të bëjmë me mohimin e të drejtës së fjalë për procedurë.

“ Nuk kanë asnjë rëndësi ato të tjerat, sigurisht ato kanë procedurën e vetë, por kapitale është. Si ta thotë mendja që mund të më ofendojë mua Edi Rama?! Po ai të nderon cdo fjalë që të thotë. Edvin Shullazi! Problemi themelor është se kemi të bëjmë me mohimin e të drejtës së fjalë për procedurë”, u shpreh Berisha./b.l/noa.al/