Transmetuar më 15-10-2017, 12:33

Në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare.

Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3.480 vendvotime. Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur. Procesi për zgjedhjet vendore në Maqedoni ka filluar me kohë në të gjitha vendvotimet, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencën e parë për media.

KSHZ-ja ka bërë të ditur se deri në orën dhjetë kanë votuar rreth 8.98 për qind e votuesve pa u shënuar ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e procesit. Gjatë paradites, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Maqedoni kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, si test shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Maqedonisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, përmes një video -incizimi ka kërkuar nga votuesit që lirshëm dhe pa frikë të shfrytëzojnë të drejtës e votës, ndërsa nga institucionet të ndajnë aktivitetet shtetërore nga ato partiake.

“U bëjmë thirrje liderëve politikë dhe anëtarëve të partive t’i zbatojnë zgjedhjet pa frikësim dhe dhunë. Përkujtojmë rëndësinë për ndarjen e qartë mes aktiviteteve shtetërore dhe partiake, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve", ka deklaruar Zhbogar.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa ka ftuar qytetarët që t’i denoncojnë të gjithë problemet në rast të parregullsive zgjedhore.

Beteja kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare; tek partitë maqedonase mes LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev në pushtet dhe VMRO DPMNE-së opozitare të cilat në zgjedhjet e fundit parlamentare në dhjetor të vitit të kaluar kishin një rezultat thuajse të barabartë, me dy mandate më shumë në favor të partisë së ish kryeministrit, Nikolla Gruevskit.

Dy partitë forcat i kanë përqendruar në Shkup, që përbën thuajse gjysmën e trupit zgjedhor, por edhe në qytetet tjera më të mëdha si në Manastir, Kumanovë, Prilep, Shtip, Strumicë dhe Ohër.

Te partitë shqiptare beteja zhvillohet mes BDI-së që është në pjesë e pushtetit qendror dhe dy partive opozitare Lëvizjes Besa e PDSH-së, por edhe Aleancës për Shqiptarët e cila megjithëse është në koalicionin qeveritar edhe ajo në këto zgjedhje sfidon BDI-në.

Gara kryesore mes partive shqiptare zhvillohet për Çairin (komunë e Shkupit), Tetovën, Gostivarin, Strugën, Dibrën dhe rreth dhjetë komuna tjera rurale. Në Kërçovë nga partitë shqiptare merr pjesë vetëm kandidati i BDI-së pasi partitë tjera janë tërhequr nga gara për të mos rrezikuar siç kanë thënë këtë që të humbet nga shqiptarët.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve.

Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe afër 400 të huaj. Rezultatet e para nga votimi i sotëm, sipas KSHZ-së, pritet të publikohen nga mesnata.