Transmetuar më 19-10-2017, 21:29

Nga Mentor Kikia

Opozita nuk po e përmban euforinë e saj pas zbulimit të përgjimeve të trafikantëve të drogës që implikojnë Sajmir Tahirin në këtë biznes kriminal. Po ashtu, ajo nuk po merr frymë së bërtituri e kërkuari prokurorisë që ta arrestojë Sajmir Tahirin sa më shpejt. Pa humbur asnjë minutë, që tani, - siç tha Eduard Halimi. Eshtë e drejta dhe detyra e opozitës të bëjë politikë dhe ky është një rast i artë për këtë gjë. Por nxitimi dhe presioni ndaj kuvendit dhe prokurorisë nuk bën asgjë tjetër veçse e kompromenton hetimin e këtij rasti, që është më i rëndi në çerekshekullin postkomunist. Gjëja për të cilën ky rast nuk ka nevojë, është vetëm politizimi. Gjëja për të cilën ka nevojë sot publiku shqiptar është zbulimi i të vërtetës së ftohtë. Nuk bëhet fjalë për rryshfetin e një tenderi, korruptimi më masiv i zyrtarëve tanë, por për faktin e paprecedent, që një ministër i brendëshm dyshohet se ka drejtuar një kartel droge, në vend që ta luftonte. Nuk ka ndodhur kjo as në Kolumbinë e kohës së Eskobarit, kur selia e qeverisë gjendej në Bogota e vendimet merreshin në Medelin.

Ndaj largohuni nga ekranet dhe lërini njerëzit që kanë marrë përsipër hetimin të bëjnë punën. Arsyetimi se Rama e Tahiri do të zhdukin provat gjatë natës së sotme nuk duket bindës. Provat, policia dhe prokuroria italiane ka 4 vjet që i mbledh dhe nuk i la për sonte. Nëse ka dyshime se Tahiri ka kasaforta apo thasë me para në shtëpi dhe mund ti nxjerrë gjatë natës, atëherë të mbahet shtëpia nën vëzhgim dhe kaq. Eshtë shumë e rëndësishme që ky proces të mos shndërrohet në politik. Nga asnjëra palë.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al