Transmetuar më 25-10-2017, 00:25

Nga Ylli Manjani

Sikur të gjithë të pandehurit që gjenden në paraburgim ose jo, të kishin të drejtë të jepnin konferenca për shtyp, do dëgjonim shumë histori spektakolare.

Por të gjithë të pandehurit kanë një deklaratë të përbashkët: ndaj meje nuk ka PROVA!

Normal, nuk ka njeri që pranon të dënohet. Edhe ata që pranojnë e bëjnë për të mbrojtur veten nga ndonjë ndëshkim më i madh.

Edhe të pandehurit me cilësi politike, njësoj sillen. Por pendesën nuk e njohin, sepse jua marrin për dobësi. Kush pendohet del nga loja dhe rrezikon çdo gjë….

Imuniteti është shpikur në një kohë tjetër, kur parlamenti kërkonte njëfarë pavarësie nga mbretërit. Në kohët e sotme, ku mbretërit kanë rënë, imuniteti shërben vetëm si mburojë e të keqes.

Imuniteti sot është mjeti ligjor për të legjitimuar pabarazinë para ligjit! Atë e përdorin masivisht të gjithë ata që duan ti fshihen drejtësisë.

Kushdo tjetër është i arrestueshëm, me apo pa prova, vetëm mbajtësi i imunitetit jo!

Ky i fundit bën dhe moral në emër të ligjit!!! Ca më keq bën dhe ligje që justifikojnë moralin e pabarazisë.

Protesta e partisë shtet me temën “Duam prova”, ndërkohë është kulmi i moralit të pabarazisë para ligjit!

Dy prova janë shumë të forta: drogimi masiv i vendit me qëllim përfitimi financiar kolosal; lidhja e dukshme e qeverisë me grupet kriminale, me qëllim marrjen dhe mbatjen e pushtetit!

Këto prova nuk i zbërthen dot drejtësia që kërcënohet nga politika me imunitet!

Ndërkohë ju bëftë mirë zbatimi i pabarabartë i ligjit të gjithë të tjerëve!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al