Transmetuar më 26-10-2017, 17:41

Në mbledhjen e parë të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kryeministri Ed Rama e vuri theksin sot pasdite, te përmirësimi i komunikimit me sektorët e tregut.

Ai u shpreh se ministria e Shtetit për Sipërmarrjen do të luajë rolin e avokatit mbrojtës në këtë aspekt.

Kryeministri evidentoi se deri më tani janë “trajtuar 49 raste komunikimi të drejtpërdrejtë të një sipërmarrje me qeverinë”.

“Dua të nënvizoj se jemi të prirur të përmirësojmë komunikimin me sektorët e tregut. Ndërveprimi mes nesh mund të jetë më efektiv dhe efikas. Jemi këtu për të mbrojtur botën e sipërmarrjes, për të qenë avokatë të saj, për të vënë në lëvizje përmes Ministrisë së Shtetit, ministrin përkatës për çdo lloj problemi. Kemi trajtuar 49 raste komunikimi të drejtpërdrejtë të një sipërmarrje me qeverinë, disa janë zgjidhur disa janë në proces”, tha Kryeministri.

Duke u ndalur edhe më shumë te qasja e qeverisë me sipërmarrjen, ai apeloi për zgjidhje racionale edhe në ato raste kur evidentohen shkelje, dhe jo zgjidhje përmes arbitraritetit. /k.k/noa.al/