Transmetuar më 02-11-2017, 22:17
Publicitet

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka bërë një deklaratë zyrtare kundër Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, të cilën e ka akuzuar se ka marrë para nga Edi Rama, për të hedhur poshtë Marrëveshjen për kufijtë detarë me Greqinë. “Përmende marrëveshjen e Detit. Do të të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion, anulove një marrëveshje, e cila në njëmijë gjykata po të dalë në parimin e traktatit të detrave”,- tha Berisha në Kuvend.

E di që ka shumë njerëz që janë gati të thonë se Berishës nuk i duhen marrë fjalët parasysh. Por nuk e kam tek Berisha. E kam tek Prokuroria e Shqipërisë.

Dy javë më parë ajo ka nisur një çështje penale “kryesisht” nga deklarimet në media dhe pastaj nga një dosje përgjimi të italianëve, ku dy trafikantë shqiptarë të përgjuar, të kenë përgojuar ish Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë.

Sali Berisha është më i besueshëm se dy trafikantët. Tani prokuroria jonë, është duke dëgjuar se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka marrë ryshfete nga ish kreu i opozitës Edi Rama, që të votonte 9 me 0 kundër Marrëveshjes për Kufirin Detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Këtu kemi disa çështje që duhet të hetohen dhe disa vlerësime për çështjet.

E para duhet të hetohet Gjykata Kushtetuese për korrupsion. Anëtarët e saj duhet të hetohen një nga një lidhur me këtë çështje dhe të provohet, ose të hidhet poshtë, nëse ata janë paguar në këtë histori. Nëse provohet se ata janë paguar nga Edi Rama për këtë histori, ata duhet të shkarkohen dhe të ndëshkohen sipas ligjit, ndërsa Edi Rama duhet të dënohet për korrupsion me qëllim shpëtimin e kufijeve tokësorë të Shqipërisë. Normalisht duhet ta gjykojë një Gjykatë ndërkombëtare.

E dyta nëse rezulton se është gënjeshtër, Sali Berisha duhet të merret i pandehur, jo vetëm për shpifje, por dhe për përpjekjen e tij për të mbuluar një akt zyrtar që ka cënuar interesin kombëtar të Shqipërisë.

Deri më sot Sali Berisha i ikte gjithmonë ballafaqimit me këtë çështje, dhe e kishte lënë si çështje të drejtësisë. Sot ka provuar se ai është i dëshpëruar që nuk ia ka arritur dot të tjetërsojë kufirin tonë detar dhe është aq shumë në anën e palës tjetër, sa mendon se Gjykata është blerë me para kundër tij. Obsesioni i tij se në këtë çështje janë paguar para, mund të ketë lidhje dhe me faktin, se për ndryshimin e kufirit mund të jenë paguar para, ndaj duhet hetuar dhe në këtë pikë.

Ky është problemi ligjor që prodhon kjo deklaratë.

Por në fakt Sali Berisha e konsideron të vetën prokurorinë dhe nuk ka frikë se mund të hapen hetime ndaj tij. Interesi i tij kryesor është politik. Ai është aq i bindur se nëse i bashkohet një aleance të fortë me disa qarqe ekstremiste greke dhe nëse arrin t’i bëjë ata për vete, mund të rrëzojë qeverinë në Tiranë. Ky është motivi politik më dëshpërues që është prodhuar ndonjëherë në Tiranë nga ndonjë politikan i nivelit të lartë.

Edi Rama padiskutim që është një populist shembullor, dhe i tërhoqi zvarrë në debatin për Himarën, për t’i telendisur, ndërkohë që atë çështje po e zgjidh me faktorët e interesuar. Ai po ashtu është i qetë dhe i qartë në raportet e mira me Greqinë dhe po përpiqet të heqë qafe një tufë batakçinjsh që janë grabitës të tokave të himarjotëve, dhe duan të fitojnë poltikisht në emër të tyre.

Ajo që nuk e ka menduar Edi Rama është se përveç populizmit të tij do të kishte në favor dhe idiotësinë e Berishës. Përfytyroni tani që Edi Rama është nën akuzë se ka përdorur paratë e veta për të shpëtuar kufirin detar me Shqipërinë. Në një farë mënyre gjithë heronjtë e pasur të përfolur të Shqipërisë që më 1912 kanë luftuar për kufijtë tanë, me paratë e tyre, që nga familja Vlora e deri tek Hasan Prishtina në Kosovë, dalin asgjë para Edi Ramës që sipas Berishës ka paguar para në opozitë, që të mos i merret deti Shqipërisë. Kjo është një përmendore që Edi Rama dhe sikur të çmendej, nuk do ta kishte vizatuar kurrë për veten e tij. Por i ka rënë fati që është çmendur Berisha para tij dhe ja ku e ka.

Trishtimi është se ky shpërthim i Berishës tregon se çfarë është ai në gjendje të vetëposhtërohet, vetëm që t’u bëjë një shenjë matanë kufirit ta ndihmojnë të ngjallet. Ai shpreson që politikisht mund të ngrihet jo vetëm duke mbrojtur një Marrëveshje të hedhur poshtë nga Gjykata e tij kur ishte në pushtet, por dhe duke u bërë kamikaz i kësaj çështjeje, duke akuzuar Gjykatën Kushtetuese si të blerë.

Berishës i duhet dhënë ky shans. Niseni çështjen për korrupsion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Edi Ramës, që të provohen akuzat e Berishës. Nëse janë të vërteta, grekët fitojnë “detin” dhe ne një “hero” si Edi Rama. Nëse janë gënjeshtra ne fitojmë “detin” dhe Greqia një “hero” si Sali Berisha.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al