Transmetuar më 02-11-2017, 22:35
Publicitet

Nga Alfred Peza

Vendimi i qeverisë për të shkarkuar 12 prefektët në të gjitha qarqet e Shqipërisë dhe për të emëruar në bllok, 12 të rinjtë, u duk sikur i kapi në befasi edhe protagonistët vetë, median dhe opozitën. Jo se Kryeministri dhe kabineti i tij, nuk janë në të drejtën kushtetuese dhe politike për ta bërë këtë, por mënyra e reagimit të atyre që u informuan edhe live, ta linte shijen.

Këtë lloj reagimi e kemi parë edhe pas dorëheqjes së shefit të shërbimit sekret Visho Ajazi, edhe brenda përbrenda PS pas largimit të një liste kryetarësh të Partisë Socialiste në të gjitha bashkitë ku ajo humbi në zgjedhjet e 25 qershorit. E me sa duket, ky lloj reagimi do të na shoqërojë gjithnjë e më shpesh në ditët në vijim, kur priten edhe të tjera vendime dhe emërime të këtij karakteri. Ndoshta shumë më të forta e drastike sesa këto të fundit dhe në nivele kyce po ashtu, të majës së piramidës shtetërore.

Ky stil vendimarrës i Kryeministrit Edi Rama shumë më ekzekutiv, më i vendosur, shumë më i fortë, e më i prerë, duke larguar në masë me një vendim të vetëm një listë njerëzish e drejtuesish institucionesh njëkohësisht (rikujtoj vendimet për 8 drejtorët e burgjeve, për për një aradhë drejtuesish të tjerë institucionesh të rëndësishme të cilëve iu kërkua që në verë të largoheshin) atij i ka munguar ne fakt gjatë mandatit të parë. Me siguri, që rol për këtë, ka luajtur ekuilibri i brishtë brenda mazhorancës qeverisese, ku LSI në të gjitha nivelet e vendit, zotëronte 25- 35% të pushtetit dhe posteve kyce drejtuese.

A është kjo filozofia e re që do shohim në ushtrimin e pushtetit, gjatë katër viteve në vijim, të cilën gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit Edi Rama e përkufizonte me simbolin e timonit dhe tepsisë? Apo pasja e duarve të lira dhe mësimi nga gabimet dhe defektet e qeverisjes në mandatin e parë, ia kanë qartësuar aq shumë shikim e problematikave, saqë tani i ka mbetur vetëm ti cojë same shpejt gjërat atje ku duhet, për të kapur kohën dhe ritmin e humbur? Sikundër, dikush mund të mendojë, se Edi Rama vetëm tani i ka të gjitha instrumentat e vendimarrjes ndër duar, për të zbatuar parimin e Curcillit, i cili thoshte se parakushti për të qenë një kryeminstër i mirë, është që të jesh, një kasap i shkëlqyer?!

Ndoshta nuk është asnjëra nga këto, ndoshta ndonjëra, ose të gjitha nga pak. Ajo që ka më shumë rëndësi tani është të kuptojmë, se a ka dicka tjetër që e kanë nxitur Edi Ramën që në fillim të këtij mandati, të duket se për nga stili i vendimarrjes të anojë më shumë nga ajo e Kryeministrit Berisha sesa ajo e Kryeministrit socialist Fatos Nano, edhe pasi ai “nusëroi” për herë të dytë?! A ndihet ai tashmë më i sigurtë jo vetëm brenda qeverisë dhe gjithë pushtetit ekzekutiv po e po, por edhe brenda PS pas zgjedhjes së Gramoz Rucit si kryetar i Parlamentit?

Jo. Nuk besoj se ndonjëra prej tyre, kanë ndonjë lidhje me të gjithën këtë. Më shumë sesa këto pyetje e hamendësime, dicka krejt tjetër besoj se po e detyron Kryeminstrin, që të jetë më i vendosur sic edhe ata që e kanë votuar presin “de facto” prej tij. Për tu dukur ne kete menyre pak më shumë “kasap” e për të prerë me një të rënë të sopatës,- të cilën ka ditur ta përdorë që kur ishte Kryetar Bashkie,- shumë me teper fije, nyje dhe pjesë parazite njëherësh, nga trupi i këtij shteti që po kërkon të rivitalizohet, pas një katërvjecari të kaluar më së shumti, duke ndërmarrë reformat më të thella të shtetformimit te vet modern.

Nëse ai dhe gjithë trupa drejtuese e ekzekutivit, nuk vazhdojnë me këtë stil e me këtë nerv, më shumë sesa rreziku i mbetjes së reformave në letër dhe i ardhjes së zhgënjimit të atyre që ia besuna timonin e qeverisjes në duar, kjo mazhorancë ka një rrezik tjetër. Akoma edhe më të madh dhe shumë më tinzar se të gjitha rreziqet e tjera të mara sëbashku. Historia e Shqipërisë ka treguar, se kushdo e ka pësuar keqaz, pikërisht atëherë kur ka menduar dhe besuar se nuk i ka mbetur më asnjë hall ne kete jete dhe se ndodhet tashme në majën e ëndërruar. E nga aty, nuk i mbetet gjë tjetër, vecse ta shijojë suksesin dhe të korrë frytet e investimit qe beri për realizimin e ambicjes.

Pesha e pushtetit është ajo që i rrëzon mazhorancat e këtij lloji, shumë më shpejt dhe shumë më shpesh, sesa gjërat e tjera. Sepse kjo situatë, ka një veti, që nuk duhet ta harrojmë kurrë nga historia e largët dhe e afërt, e jona apo edhe nga ajo e huaja sidomos. Një pushtet si ai që zotëron sot Edi Rama dhe PS, i bën gjithë armiqtë, kundërshtarët, të pakënaqurit, të papërfshirët, të papërmbushurit, të paplotësuarit, të pavleresuarit, të pashpërblyerit, që të jenë të gjithë bashkë. Duke qenë bashkë ata kanë vetëm një synim dhe një qëllim të vetëm e të përbashkët: Ta rrëzojnë një minutë e më parë, Edi Ramën nga pushteti.

Prova e parë, u bë gjatë ditëve të stuhishme të akuzave ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të tjera prova të tilla, nuk përjashtohen as në të ardhmen. Ndërsa kryeprova, është padushim pas gati një viti e gjysëm, gjatë zgjedhjeve të ardhëshme. Me sa duket, lideri i mazhorancës e ndjen, ka informacion apo është koshient për këtë. Ndaj, ka filluar që tani, që të meret fort dhe prerë si me situatën brenda gjithë piramidës së Partisë Socialiste për ta rivitalizuar ate, riorganizuar e për ta bërë gati për fushatën ndoshta më të egër që PS mund të ketë përballuar ndonjëherë gjatë gjithë historisë së saj cerekshekullore. Ashtu edhe me situatën në të gjithë piramidën e qeverisjes së përgjithëshme të vendit dhe asaj të qeverisjes qëndrore.

Nëse e ka lexuar mirë të gjithën këtë, ajo mbetet për tu parë në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. E sigurtë është që notën për këtë, shqiptarët do ja japin në zgjedhjet e përgjithëshme lokale të vitit 2019. E ato nuk jane shume larg. Pas disa muajsh, makina elektorale, do te jete vene perseri ne levizje./Alpenews.al/

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al

Loading...