Transmetuar më 03-11-2017, 12:10
Publicitet

Fondi Monetar Ndërkombëtar është i fundit nga shumë institucione që flasin kundër dëshirës së vetëshpallur të qeverisë për uljen e pragut të regjistrimit për Tatimin e Vlerës së Shtuar, një masë që rrezikon të zhysë në kaos administratën tatimore dhe një numër të konsiderueshëm biznesesh. Megjithatë, kundër të gjitha këshillave, qeveria këmbëngul se do ta bëjë.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jens Reinke bëri një dalje të rrallë në media për të deklaruar për revistën ekonomike Monitor se institucioni i tij ka “këshilluar fort” qeverinë shqiptare të mos e ulë pragun e regjistrimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një masë që u shpall fillimisht më 5 tetor nga kryeministri Edi Rama dhe që aktualisht mbështetet vetëm nga një numër i vogël zyrtarësh ose personash joekspertë nga fusha e biznesit.

“Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet tek taksapaguesit e mëdhenj”, tha Reinke.

Reinke tregoi gjithashtu se qeveria pati mbërritur në fillim të shtatorit me propozimin për ta bërë pragun e regjistrimit në TVSH zero, gjë që do të thotë që edhe një tregtar frutaperimesh, apo një berber do të detyrohej të regjistrohej si subjekt i TVSH-së, por nga propozimi i parë në shtator, deri tani, qeveria duket se kuptoi pjesërisht absurditetin e këtij propozimi dhe në variantin aktual, propozon që pragu të jetë 2 milionë lekë, gjë që e rrit numrin e bizneseve në TVSH nga 21 mijë, në rreth 30 mijë.

Megjithatë, një propozim alternativ dhe shumë i logjikshëm është që qeveria do të bëjë mirë ta rrisë pragun e TVSH-së nga kuota aktuale 5 milionë lekë, fjala vjen, të bëhet 15 milionë ose 20 milionë, në mënyrë që numri i bizneseve nën këtë taksë të ulet dhe tatimorët të kenë mundësi të menaxhojnë më mirë një numër më të vogël tatimpaguesish të TVSH-së.

Pak ditë para Reinkes, Dhoma Amerikane e Tregtisë, një institucion lobimi ku bëjnë pjesë disa nga bizneset më të mëdha në vend, shprehu gjithashtu opinionin e saj kundër masës së qeverisë, duke argumentuar se ka një shqetësim se sa e përgatitur është administrata tatimore për menaxhimin dhe kontrollin e më shumë subjekteve të TVSH-së si dhe me logjikën ekonomike, sa para shtesë mund të mbledhë buxheti i shtetit në raport me koston shtesë që mbart për administratën tatimore mbledhja e këtyre taksave shtesë. Dhoma Amerikane tërhoqi gjithashtu vëmendjen se jo vetëm ulja e pragut është një masë me vlerë të dyshimtë nga ana logjike, por edhe mënyra përmes të cilës qeveria ka vendosur ta bëjë këtë gjë, mund të jetë në shkelje të Kushtetutës.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një nga dy taksat më të rëndësishme në Shqipëri krahas akcizave. TVSH jep çdo vit gati një të tretën e të gjitha të ardhurave të buxhetit të shtetit. TVSH është gjithashtu një nga taksat më të komplikuara për administrim. Ndërsa akciza është një taksë fikse që arkëtohet nga qeveria në çastin e prodhimit ose të importimit të një produkti, TVSH-ja duhet t’i mblidhet fillimisht prodhuesit ose importuesit, pastaj tregtarit me shumicë, pastaj atij me pakicë deri te konsumatori final. Secila prej këtyre hallkave ka të drejtë që, nga njëra anë të faturojë dhe paguajë TVSH në çastin e shitjes dhe nga ana tjetër, të kompensohet nga tatimet për TVSH-në e paguar në çastin e blerjes, me qëllim që në instancë finale, për asnjë produkt të mos paguhet dy herë TVSH.

Hallka më e dobët në këtë zinxhir është rimbursimi. Tatimet në vijimësi përgjatë viteve ngurrojnë të rimbursojnë, ndërsa shumë biznese nën zë ankohen se kërkesat e suksesshme për rimbursim duhet të shoqërohen zakonisht me rryshfete të majme nën dorë. Mungesa e rimbursimit është një kosto shumë e lartë dhe e palogjikshme për çfarëdolloj  biznesi. Problemi qëndron që sistemi tatimor shqiptar aktualisht kërkon që zyrtari në tatime ta marrë në shqyrtim, ta verifikojë dhe ta miratojë kërkesën për rimbursim.

Në mënyrë të përsëritur, tatimet i zvarrisin kërkesat për rimbursim. Kur qeveria aktuale erdhi në pushtet më 2013, ajo gjeti rreth 100 milionë euro kërkesa për rimbursim TVSH-je të pashlyera. Raporti i fundit i FMN-së thotë se gjatë muajve të parë 2017, tatimet kanë akumuluar 30 milionë euro TVSH të parimbursuar. Këto shifra nuk është se e japin siç duhet realitetin. Pas çdo shume TVSH-je të parimbursuar është një biznes që ka një kosto thuajse falimentuese.

Askush nuk mund të bëjë biznes të suksesshëm nëse detyrohet të paguajë dyfish TVSH dhe pas kësaj, duhet të presë muaj e me raste vite, që tatimet t’ia rimbursojnë TVSH-në e paguar tepër, ndërkohë që është gjithmonë i rrezikuar që tatimori të kërkojë ryshfet ose ta zvarrisë çështjen në pafundësi. Mungesa e korrektesës nga tatimet argumentohet nga disa ekspertë si një nga arsyet e rëndësishme që shtyjnë bizneset të rrezikojnë duke bërë evazion fiskal.

Në këtë kontekst, për sa kohë tatimet janë kaq të parregullta përballë tatimpaguesve, shtimi i numrit të subjekteve në skemën e TVSH rrezikon që të shtojë shkallën e evazionit, në vend që ta ulë atë. Tatimet, edhe nëse funksionojnë shumë mirë nga pikëpamja administrative, thjesht do ta kenë të pamundur të përballojnë fluksin e punës.

Shqipëria e ka një eksperiencë në këtë drejtim. Qeveria e Partisë Demokratike kërkoi uljen e pragut të TVSH-së, fillimisht në 5 milionë lekë dhe më pas në 2 milionë. Kjo ndodhi në vitin 2012. PD gjendej në atë kohë, njësoj si PS sot, nën presionin e disa bizneseve të mëdha që ankohen se nuk po i ecin mirë shitjet nëpër supermarkete. Kur në vitin 2012 pragu u ul në 5 milionë, ajo që ndodhi ishte që të ardhurat nga TVSH ranë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat e qeverisë nga TVSH ishin sa 9.6 për qind e PBB-së në vitin 2009 dhe ranë në 9.2 për qind më 2011 e 8.3 për qind më 2013, (pas zbatimit të uljes së pragut). Duke kuptuar gabimin, qeveria e asaj kohe e anuloi planin për ta ulur pragun nga 5 në 2 milionë, por nuk pati kurajën të hidhte hapin tjetër të domosdoshëm, atë të rritjes së pragut. Propozimi aktual i PD-së është rritja e pragut në 12 milionë lekë dhe vendosja e një opsioni për bizneset nën këtë prag që, nëse dëshirojnë, të regjistrohen si subjekte TVSH-je pavarësisht se nuk e kalojnë pragun.

Taksë e thjeshtuar për biznesin e vogël

Që kur Shqipëria filloi të krijojë një sistem taksimi në vitin 1992, si në shumë vende të tjera të botës, u vendos që biznesi i madh t’i nënshtrohej taksimit të rregullt ndërsa biznesi i vogël t’i nënshtrohej taksimit të thjeshtëzuar. Në vitin 1992, p.sh., Shqipëria vendosi një tatim të thjeshtëzuar mbi xhiron në masën 2 për qind, tatim që në vitin 2006 u zëvendësua me një tjetër që quhej taksa e biznesit të vogël.

Problemi i kësaj takse ka qenë gjithmonë populizmi i tejskajshëm i partive politike në fushata zgjedhore, të cilat e kanë gjetur të lehtë të premtojnë “zero taksa” para zgjedhjeve dhe pastaj të përpiqen të maskojnë taksa të reja për të zëvendësuar premtimet e gënjeshtërta. Berisha e ndryshoi tatimin e thjeshtuar mbi xhiron në vitin 2006 me taksën e biznesit të vogël pikërisht për shkak se kishte premtuar zero taksa më 2005. Rama zëvendësoi taksën e biznesit të vogël me një tjetër që quhet tatimi i thjeshtuar i fitimit më 2014, ekzaktësisht për të njëjtën arsye.

Në fushatën zgjedhore 2013, mes shumë premtimeve të tjera, Rama premtoi “përgjysmim të tatimit mbi fitimin mbi biznesin e vogël” dhe “zero taksë të biznesit të vogël”. Ajo që bëri ishte heqja e taksës për biznesin e vogël dhe vënia e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin. Dy vite më vonë, qeveria aktuale e kuptoi se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin nuk mund të funksiononte si taksë. Kjo lloj takse do të thotë që çdo byrektore të mbajë fatura blerjeje dhe fatura shitjeje të rregullta dhe që tatimet të kontrollojnë rreth 100 mijë vetëdeklarime të tilla çdo vit. Është e kuptueshme që kjo nuk funksionon dhe se një tatim i thjeshtuar për biznesin e vogël është një zgjidhje normale, po aq sa edhe një tatim zero mbi biznesin e vogël. Në total, të ardhurat e qeverisë nga kjo lloj takse janë një qindarkë.

Pothuajse të gjitha vendet në Europë kanë skema të ngjashme të thjeshtëzuara për biznesin e vogël. P.sh, në Britaninë e Madhe, bizneset e vogla me xhiro më të ulët se sa 130 mijë paundë i nënshtrohen një skeme të quajtur “tatimi i thjeshtuar i vlerës së shtuar“. Nën këtë skemë, një dyqan rrobash zbaton një TVSH në masën 6 për qind mbi shitjet e veta dhe e derdh këtë TVSH në tatime, por zbatimi i kësaj skeme e përjashton atë nga e drejta për të marrë rimbursim për TVSH-në që ka paguar kur i ka blerë rrobat ose lëndët e para.

Natyrisht që një skemë e tillë është gjithashtu e panevojshme që të zbatohet në Shqipëri. Aktualisht TVSH në Shqipëri është 20 për qind për shumicën dërrmuese të produkteve. Kjo është një normë goxha e lartë edhe në krahasim me shumicën e vendeve europiane./birn/