Transmetuar më 05-11-2017, 20:58

Masakër me të paktën 27 të vrarë, mes tyre dhe një fëmijë 2-vjeçar, gjatë meshës në një kishë baptiste në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Korrespondenti i NOA.al në Teksas raporton se sulmi ndodhi në “First Baptist Church of Sutherland Springs” në Teksas.

Një person i armatosur hyri të dielën paradite në 11.30 (ora amerikane) në brendësi të kishës teksane, në momentet kur atje po zhvillohej një meshë e së dielës dhe ishte e mbushur plot me banorë të zonës.

Mes qytetarëve në kishë gjendeshin dhe shumë gra e fëmijë dhe të moshuar.

Agresori ishte i veshur me rroba ushtarake dhe hapi zjarr duke përgjakur kishën në meshë e sipër.

Shefi policor lokal Alber Gamez Jr konfirmoi vdekjen e 27 personave.

Ai shtoi se edhe 24 të tjerë kanë mbetur të plagosur në shkallë të ndryshme.

Në vijim, autori besohet se hapi zjarr edhe ndaj vetes duke mbetur i vrarë.

Autoritetet thanë se po hetojnë edhe dyshimin që agresori të jetë vrarë nga plumbat e policisë.

Sutherland Springs është një komunitet me 400 banorë, rreth 42 kilometra në jug të San Antonio në Teksas të SHBA-ve. /noa.al/