Transmetuar më 07-11-2017, 14:45

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi priti sot në një takim në selinë e LSI-së kryetarin e Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm z. Albert Nasto. Ky takim erdhi si kërkesë e kësaj shoqate, në vazhdën e problematikave dhe shqetësimeve aktuale që biznesi i vogël dhe i mesëm po has kohët e fundit si rezultat i politikave fiskale rënduese dhe penalizuese që po ndjek qeveria.

Kryetarja e LSI-së pasi u njoh më konkretisht me shqetësimet e prezantuara nga përfaqësuesit e shoqatës në lidhje më përkeqësimin e klimës së biznesit, në lidhje me rritjen e taksave lokale dhe kombëtare, si dhe në mënyrë të veçantë me përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së , shprehu mbështetjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim ndaj dhjetëra mijëra bizneseve, të cilat sot janë të detyruara të vuajnë pasojat katastrofike të kësaj politike ekonomike dhe fiskale që buron nga keqqeverisja, mungesa e vizionit dhe paaftësia për të zhvilluar ekonominë e vendit.

“Dhjetëra mijëra biznese janë në prag të falimentimit. Kjo do të thotë që dhjetëra mijëra njerëz do ti shtohen armatës së të papunëve. Biznesi i vogël dhe i mesëm ka nevojë për mbështetje dhe stimuj, dhe jo për gjoba, penalitete apo rritje taksash. LSI mbështet biznesin e vogël dhe te mesëm, duke cilësuar ato si shtyllën kurrizore për ekonominë e vendit. LSI është kundër rritjes së taksave dhe është kundër përfshirjes së këtyre bizneseve në skemën e TVSH-së”, u shpreh Krymadhi.

Më tej kryetarja e LSI shtoi se në ditët në vazhdim, partia e saj do të dëgjojë të gjithë grupet e interesit dhe do të ketë propozime konkrete për çështjet fiskale dhe ekonomike.

Monika theksoi se zhvillimi i ekonomisë së vendit, lufta kundër varfërisë, përmirësimi i klimës së biznesit, nxitja e punësimit janë disa nga objektivat kryesorë të axhendës sonë politike.

“Prandaj edhe ky takim i sotëm me shoqatën konfirmon që axhenda jonë politike është në sinkron të plotë me pritshmëritë e biznesit dhe interesit më të mirë të qytetarëve për një qeverisje të përgjegjshme dhe për një ekonomi të fortë dhe të zhvilluar”, tha ajo. /b.l/noa.al/