Transmetuar më 07-11-2017, 16:14

Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin ka marrë guximin të cilësojë shqiptarët si njerëz që shesin atdheun për shtëpinë e vet, duke përdorur një citim që ajo pretendon se e ka dëgjuar nga një person tjetër, shqiptar.

Këtë deklaratë, zonja Vlahutin e bëri sot, në prezantimin e planit të veprimit kundër luftës së krimit të organizuar – operacioni "Fuqia e ligjit".

“Një mik shumë i mirë shqiptar më ka thënë se si vëllai i gjyshit nga babai, që kishte studiuar fizikë në Francë dhe ishte studiues  i madh, thoshte: “Bir, në të kaluarën njerëzit i shisnin shtëpitë për atdheun, tani shesin atdheun për shtëpinë e tyre”.

Por këta janë të paktët që nuk kanë turp, moral dhe respekt për vendin që u dha atyre jetë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve sot, me po atë qartësi si gati tri dekada më parë, kanë të njëjtin synim: Ta jetojnë jetën me dinjitet dhe siguri, si popujt e tjerë në Evropë”, - u shpreh zonja Vlahutin.

Romana Vlahutin, më tej në fjalën e saj ka dhënë plot këshilla për betejën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nuk duhen shumë mend apo ndonjë guxim i veçantë për të qenë kriminel”, - tha ajo dhe shtoi: “Një personi thjesht duhet t’i mungojnë vlerat morale bazë dhe të jetë egoist i pamëshirshëm”.

Ajo më pas tha se “operacioni “Fuqia e ligjit” do të jetë vërtet një hap vendimtar drejt një shteti që është shumë më i fortë se çdo lloj krimi”.

Vlahutin pohoi më pas se “ne të komunitetit ndërkombëtar nuk jemi policë, nuk jemi prokurorë apo gjyqtarë. Ne nuk mund të bëjmë punën tuaj” dhe shtoi: “Por ne jemi aleatët tuaj dhe partnerët tuaj në këtë luftë dhe do të bëjmë sa mundemi për t’ju ndihmuar ta bëni si duhet punën tuaj”.

Romana tha në vijim se sipas saj BE ka dhënë shumë para për Shqipërinë. Ajo përmendi shifrën 100 milionë euro investime në dekadën e fundit, një shifër që përballë vendeve të tjera kandidate është shumë më e vogël. /noa.al/