Transmetuar më 07-11-2017, 14:29

Është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar Kasem Trebeshina. Shkrimtari mbylli sytë për herë të fundit në moshën 91 vjeçare në Ankara të Turqisë, teksa ndodhej në shtëpinë e vajzës së tij ku jetonte prej kohësh.

Trupi i tij i pajetë ka mbërritur sot në Shqipëri dhe është përcjellë në orën 14.00 për në banesën e fundit te varrezat e Tiranës.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, dhe e botuar pas rënies së komunizmit, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet.

Kush ishte Kasem Trebeshina

Kasëm Trebeshina (i lindur në Berat, më 8 gusht 1926) është shkrimtar shqiptar. Pas rënies së komunizmit filloi të proklamohej si disident duke marrë për bazë një promemorie që thuhej t’ia kishte dërguar Enver Hoxhës në vitin 1953, ku e kritikonte metodën e realizmit socialist.

Megjithatë vërtetësia e këtij pretendimi është vënë në pikëpyetje dhe promemoria është quajtur shpikje, e bërë me qëllimin e vetëm të shpalljes së Trebeshinës disident dhe të dëmtimit të imazhit të shkrimtarit Ismail Kadare i cili refuzonte të quhej disident.

Veprat

Pjesa më e madhe e veprës së Trebeshinës ka mbetur e pabotuar:

18 vëllime me poezi, 42 drama, 22 romane dhe tregime etj.[5] Pjesa më e madhe e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve '90 në Prishtinë: Stina e stinëve, 1991; Mekami, melodi turke, 1994; Historia e atyre që s'janë, dramë, 1995, Tregtari i skeleteve, 2006, Këngë për Kosovën, 2007, Shtigjet e shekujve, 2007 dhe në Tiranë: Legjenda e asaj që iku (ribotim i Stina e stinëve), 1992; Koha tani, vendi këtu, 1992; Qezari niset për në luftë, 1993; Rruga e Golgotës, 1993; Lirika dhe satirë 1994: Hijet e shekujve, 1996; Ëndrra dhe hije drama; 1996 etj. Megjithatë pjesa më e madhe e veprës së Kasëm Trebeshinës është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Lista e veprave

Kruja e çliruar, 1953

Artani dhe Min'ja, 1961

Stina e Stinëve, 1991

Legjenda e asaj që iku, 1992

Qezari niset për luftë, 1993

Koha tani, vendi këtu, 1992

Rruga e Golgotës, 1993

Mekami, melodi turke, 1994

Lirika dhe satira, 1994

Historia e atyre që s'janë, 1994

Ëndrra dhe hije, 1996

Hijet e shekujve", 1996

Nata para apokalipsit, 1998

Ku bie Iliria, 2000

Kënga Shqiptare, 1-5, 2001

Më përtej kohërave, 2004

Drama, 2006

Polimnia dhe Melpomena, 1-2, 2006

Tregtari i skeleteve, 2006

Këngë për Kosovën, 2007

Shtigjet e shekujve, 2007

Një ditë në natën pa fund (Dafinat e thara), 2016