Transmetuar më 08-11-2017, 21:41

Fytyra e mbuluar me gjak dhe syzet të thyera.

Kështu shfaqet në foton e postuar në rrjetet sociale Evgenia Kouniaki, avokate greke që në të kaluarën ka mbrojtur vazhdimisht emigrantët.

Kouniaki është dhunuar nga një grup ekstremistësh të Agimit të Artë në Athinë.

Sipas së përditshmes “Ekathimerini”, gruaja është sulmuar pasi kishte zbritur nga autobusi dhe po shkonte në selinë e policisë së Athinës, për të asistuar një peshkatar egjiptian, i cili është një dëshmitar kyç në një proces kundër ekstremistëve, që akuzohen për dhunë ndaj aktivistëve të majtë dhe emigrantëve.

Kouniaki dhe një grua tjetër që ishte bashkë me të u detyruan të hipnin sërish në autobus dhe i kërkuan drejtuesit që të mbyllte menjëherë dyert, shkruan TCH. Por një nga ekstremistët arriti ta godiste avokaten me një grusht në fytyrë, duke e lënduar tek hunda.

“Ishin 10 apo 15 vetë. Kërkuam ndihmë, aty pranë ishin disa agjentë, por nuk ndërhynë. Pastaj më thanë të qetësohesha dhe të pastroja fytyrën”, ka treguar avokatja.

Zonja Kounaki ka qenë avokate në një proces të mëparshëm penal ndaj liderit të Agimit të Artë, Nikolaos Michaloliakos, i procesuar për vrasje, por i lënë i lirë për skadim afatesh.

Agimi i Artë, parti e ekstremit të djathtë, ka 16 deputetë në Parlamentin grek.