Transmetuar më 09-11-2017, 11:13

Dalin të tjera detaje nga krimi i rëndë i ndodhur mëngjesin e djeshëm në familjen shqiptare në Itali, kur Dritan Sulollari theri me thikë dhe la të vdekur në banesë gruan e tij, Migena Këllezi.

Mediat italiane, duke iu referuar dëshmive në vendin e ngjarjes dhe atyre pas ndalimit të shqiptarit japin detaje, duke thënë se çifti ishte në prag ndarjeje konsensuale, por ajo që ndodhi ishte krejt e papritur.

Sipas avokatit të autorit, “ne nuk po përballemi me degjenerimin e dhunës nga bashkëshorti xheloz, por ndodhi një epilog krejtësisht i papritur”.

Avokati shpjegoi se pavarësisht nga gjendja e shqetësimeve të rënda psikologjike dhe pasi iu nënshtrua operacionit në tendinin e dorës, ai ka treguar se donte të largonte të birin nga skena e tmerrshme dhe krimi që kishte kryer.

Ai donte të shmangte djalin 8-vjeçar të mos e shihte me sytë e tij gjithë sa kishte ndodhur. Ai i tha të birit se vetë do të shkonte të mjekohej në spital, kurse “mami ka ikur për disa ditë për të parë të afërmit në Shqipëri”.

Më tej ai shton se Dritani është i mërzitur për atë që ai ka bërë me gruan e tij dhe për fatin jetim që i ka rezervuar tashmë djalit të tij 8 vjeç. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /b.l/noa.al/