Transmetuar më 09-11-2017, 13:34
Publicitet

Një tjetër i dënuar është lënë sot i lirë nga Gjykata e Krujës. Mësohet se i dënuari që vuante dënimin me burg quhet Ilir Paja, i cili sipas vendimit të fundit të gjykatës, do të lerë qelinë. Mësohet se vendimi për Pajën, të cilit i kishte mbetur më shumë se një vit dënim, është dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila liroi pak ditë më parë Genc Tafilin.

Ilir Paja, personazhi i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane, rrezikon të dënohet me gati 17 vjet burg për akuzat e ngritura ndaj tij, si autor i një sërë krimesh të rënda në Itali. Aktualisht, Paja vuante një dënim të Krimeve të Rënda me 6 vjet burg, si fajtor i “plagosjes së rëndë me dashje” të një polici, gjatë operacionit për arrestimin e tij, në mars të vitit 2008, në Tiranë.

Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkoi gjykatës dy ditë më parë dënimin e të pandehurit Ilir Paja me 25 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë. Për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar në Gjykatën për Krimet e Rënda e uljes që përftohet prej tij, përfundimisht prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit dhe dënimin e tij me 16 vjet e 8 muaj heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë.

Sipas organit të akuzës, Paja akuzohet për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.

Dosja në fjalë është plotësuar me materiale dhe prova të mbërritura me letërporosi nga ana e autoriteteve italiane të hetimit. U mësua se në dosje ndodhen procesverbalet e marrjes në pyetje të 19 personave në Itali, si edhe provat e mbledhura nga hetuesit italianë, në lidhje me ngjarjet e shënuara nga Paja në një hark kohor prej tri ditësh. 

Referuar kërkesës për gjykim, të depozituar më 15 korrik në Gjykatën për Krimet e Rënda, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja, janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali. Bëhet fjalë për kohën ndërmjet arratisjes së tij të parë të qershorit 2006 nga paraburgimi i Perugia-s dhe deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. 

Sipas organit të akuzës në këtë periudhë, Paja dyshohet të jetë autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj.

Referuar hetimeve, Paja kishte qëlluar me pistoletë dhe ka plagosur shtetasit Gonzalo Ramirez dhe plagosur Enrike Erelana, ndërsa i pari ka ndërruar jetë një ditë më pas. Një tjetër  episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.

Loading...