Transmetuar më 09-11-2017, 19:54

Ajo që flitet çdo ditë nga shumë studentë dhe të afërm të tyre, është faktuar dhe në një dokument që u hartua nga Ambasada Amerikane në Tiranë: Në Universitetin e Tiranës, gëlon korrupsioni.

Përfaqësues të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane kanë prezantuar Raportin e projektit "Lufta kundër Korrupsionit në Arsimin e Lartë", duke u ndalur te rasti i Universitetit të Tiranës.

Për 43% e të anketuarve në fakultetin e tyre ekziston korrupsioni. Forma më e përmendur e ndërhyrjes në mënyrë abuzive nga studentët është ajo përmes të tretëve, qofshin familjarë apo të afërm dhe më pas është forma e ryshfetit. Mbi përvojën personale të studentëve, pjesa më e madhe e rasteve abuzive në fakultet kanë të bëjnë me favorizimin lidhur me vlerësimin për lëndën (64%). Në rend të dytë vjen marrje e lëndës pa frekuentim. Forma më e përmendur e presionit të përdorur nga pedagogët gjatë periudhës së sezonit është ajo e “presionit psikologjik”, nga ku studentët marrin shumë ankth dhe pasiguri.

Me një diferencë fare të pandjeshme, studentët perceptojnë si më të korruptuarin sistemin gjyqësor, qeverinë dhe opozitën (87 dhe 86 pikë) së bashku me sistemin e shëndetësisë (84 pikë).

Më tej me 76 pikë renditet sistemi i arsimit në tërësi, me një diferencë nga sistemi gjyqësor prej 11 pikëve më pak.

Indikatori i korrupsionit thekson se me përjashtim të vetes së tyre, studentët e Universitetit të Tiranës perceptojnë një nivel të lartë korrupsioni për të gjithë dimensionet dhe personalitet e paraqitur, ku çdo vlerësim kapërcen mesin e shkallës së indikatorit.

Korrupsioni në fakultet

Sipas mendimit të studentëve për 43% e të anketuarve në fakultetin e tyre ekziston korrupsioni. Ndërkohë në tërësi gati një në dy studentë (47%) shprehen se nuk kanë dijeni për një gjë të tillë. Në këtë kontekst, rreth 51% e studentëve të Fakultetit Juridik deklarojnë se në fakultetin e tyre ekziston korrupsioni, ndërsa për rastin e Fakultetit të Ekonomisë shprehen 46%, Fakulteti i Gjuhëve të huaja (38%), Fakulteti i Histori-Filologjisë (38%) dhe Fakulteti i Shkencave Sociale (35%).

Për rastin e këtyre dy të fundit, rezultatet tregojnë se janë më të shumtë që e mohojnë ekzistencën e korrupsionit në fakultetin e tyre (16%), krahasuar me të njëjtën kategori te fakultetet e tjera.

Duke u thelluar në analizë shihet se ata nga viti i parë janë më të shumtë që deklarojnë se nuk kanë informacion mbi ekzistencën e korrupsionit në fakultet, ndaj dhe janë më pak nga ata që shprehin pozitivisht (38%) kundrejt atyre që janë jo në vitin e parë të studimeve (50%).

Më tej, rreth 50% e atyre që janë në marrëdhënie pune shprehen pozitivisht për praninë e korrupsionit në fakultetin kundrejt 41% të atyre që nuk janë aktualisht në marrëdhënie pune.

Gjithashtu, krahasuar me vajzat djemtë janë të predispozuar të pohojnë lidhur me praninë e korrupsionit në fakultet (42% dhe 48% përkatësisht).

Ata që deklaruan se në fakultetin e tyre ka prani të korrupsionit u pyetën më tej lidhur me formën me të cilën shfaqet ai. Rezultatet tregojnë se forma më e përmendur nga studentët është ajo përmes ndërhyrjes nga të tretët, qofshin familjarë apo të afërm.

Në vend të dytë renditet mënyra e ryshfetit dhe në vend të tretë forma përmes punonjësve të tjerë të administratës apo sekretarisë mësimore.

Sa i takon kësaj çështje, studentët e Universitetit të Tiranës nuk kanë dallime mes fakulteteve, ata të gjithë bëjnë të njëjtën renditje, ndonëse në Fakultetin Juridik dhe atë të Ekonomisë mënyra e parë e shfaqjes së korrupsionit është përmendur më shpesh krahasuar me fakultet e tjera.

Lidhur me përgjigjen që japin te pyetja mbi praninë e korrupsionit në fakultet, studentët u pyetën se ku e bazojnë më shumti përgjigjen e tyre. Nga anketa vërehet se mazhoranca (69%) e studentëve të Universitetit të Tiranës e mbështesin gjykimin e tyre mbi bazën e bisedave në rrethin shoqëror.

Ndërkaq rreth 22% shprehen se japin përgjigje duke konsideruar përvojën personale dhe vetëm 5% kanë burim kryesor të informimit median. Renditja e burimeve kryesore të informimit nuk ndryshon në asnjë fakultet.

Ata që vlerësimin mbi praninë e korrupsionit e mbështesin te përvoja personale pyeten më tej mbi format e rastisjes. Rezultatet tregojnë se pjesa më e madhe e rasteve kanë të bëjnë me favorizimin lidhur me vlerësimin për lëndën (64%).

Në rend të dytë vjen marrja e lëndës pa frekuentim. Marrja e një liste notash, vërtetimi apo dokumenti nga sekretaria mësimore është përmendur në 24% të rasteve, ndërkaq regjistrimi përtej afatit në një provim nga sekretaria mësimore apo stafi administrative është renditur e katërta (19%). Gjithashtu në numër të vogël rastesh është përmendur edhe formë tjetër e përfitimit jo të drejtë. Kujtojmë se ky është një fenomen që mund të shfaqet në disa mënyra dhe jo vetëm njërën nga ato që përmendet.

Më tej studentët që u përgjigjen më sipër u pyeten se çfarë mënyrash kanë përdorur për të arritur me sukses përfitimin e mësipërm. Bazuar në të dhënat e anketës, të anketuarit përmendin më shumë mënyrën e angazhimit të afërmve të vetë (39%), ndërkohë në vend të dytë vjen mënyra e kontaktimit të të afërmve të marrësit (30%). Kontaktimi direkt i pedagogut dhe angazhimi i stafit administrativ apo atij të sekretarisë mësimore janë dy mënyrat e tjera më të përmendura.

Gjetjet e tjera

Pjesa dërrmuese e studentëve të Universitetit të Tiranës mendojnë se kemi të bëjmë me një rast aspak të përshtatshëm dhe aspak të justifikuar kur “pedagogu pranon dhuratë a ryshfet nga studenti” (mbi 90% e tyre shprehen se një situatë e tillë nuk është aspak e përshtatshme). Përkrah kësaj dhe në ngjashmëri, rreth 84% e të anketuarve shprehen se nuk janë aspak dakord me pohimin “është e përshtatshme që studenti të japë dhuratë apo para pedagogut”. Në këtë mënyrë, me një dallim fare të vogël, studentët e Universitetit të Tiranës “dënojnë” ashpër si marrësin (pedagogun) ashtu edhe dhënësin (studentin) në një situatë korruptive.

Të dhënat e sondazhit tregojnë se studentët me mesatare të ulët (nën notën 7) janë të prirur të “tolerojnë” më shumë se shokët e tyre rastet që paraqesin situata korruptive. Rreth 18% e studentëve të Universitetit të Tiranës janë plotësisht dakord me të paktën njërën nga situatat abuzive që janë parashtruar. I njëjti tregues ose njohur ndryshe si Indikatori i ndërgjegjësimit të korrupsionit merr vlerën më të madhe në rastin e Fakultetit të Histori-Filologjisë (28%) dhe më pas vjen Fakulteti i Shkencave Sociale (20%), ndërkohë Fakulteti Juridik dhe ai i Gjuhëve të Huaja arrijnë nivel të njëjtë në masën 14%. Studentët e Fakultetit të Ekonomisë arrijnë në 18%.

Pjesa më e madhe (71%) e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se do të përpiqeshin në maksimum (pa ndërhyrje të tjera) për të marrë provimin edhe pse mund të mos e kalojnë atë. Gati një në dy studentë zotohet se do e raportonte nëse do të përballej me një veprim korruptiv, madje një numër i vogël prej 3% shprehen se e kanë raportuar në të kaluarën.

Nga ana tjetër, rreth 13% e të anketuarve shprehen se nuk do të raportonin nëse do të përballeshin me një veprim të tillë. Pjesa më e madhe e atyre që shprehin rezerva në raportimin e një rasti korruptiv (42%) thonë se raportimi i një rasti të tillë në fakultet nuk do të ishte efektiv, pra do të ishte pa rezultat.

Ndërkohë rreth 1 në 3 studentë (33%) deklarojnë se “kanë frikë nga raportimi pasi ndihen se nuk do të mbroheshin nga askush”. Vihet re se studentët që shkollën e mesme e kanë përfunduar në qarqe të tjera (jo Tiranë) janë më të shumtë (35%) që reflektojnë frikë nga raportimi sesa ata që kanë një diplomë të shkollës së mesme e cila gjendet në Tiranë (29%). Nga gjetjet e anketës rezulton se mazhoranca e studentëve (59%) pajtohen plotësisht me pohimin sipas të cilit në Shqipëri është përgjithësisht e pranueshme se “të rinjtë në Shqipëri mund të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe të promovojnë integritetin dhe ndershmërinë aty ku jetojnë”. Sa i takon pohimit se “ryshfeti, nepotizmi, favoritizmi, klientelizmi janë shumë të rrënjosura në Shqipëri ndaj dhe të rinjtë nuk mund ta ndryshojnë këtë”, gati gjysma (47%) e studentëve e kundërshtojnë si shprehje përgjithësisht të pranueshme në Shqipëri.

Tre në katër studentë të anketuar shprehen plotësisht dakord me pohimin se korrupsioni është një problem i madh për vendin tonë, Shqipërinë. Më shumë se gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës e shohin korrupsionin si një problem të madh dhe pengues për rininë në Shqipëri dhe familjet e tyre (përkatësisht, 62% dhe 52%). Pjesa dërrmuese e tyre (85%) rendisin sistemin arsimor në tërësi si faktorin më të rëndësishëm në këtë kontekst për të luftuar korrupsion në shoqërinë shqiptare.

Studentët e Universitetit të Tiranës i japin rol dhe njëherësh përgjegjësi të madhe sistemit arsimor në tërësi, medias dhe udhëheqësve politikë në luftën kundër korrupsionit në shoqërinë shqiptare. Ata besojnë se këta aktorë janë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Krijimi i një portali apo aplikacioni ku studentët apo kushdo tjetër mund të raportojë fakte lidhur me rastet abuzive është mënyra më e përmendur nga studentët (53%) kur shtrohet çështja e zgjidhjes së problemit të korrupsionit në fakultetin ku studiojnë. Në përgjithësi gati tre në katër studentë (75%) ose kanë pak ose aspak informacion për kuadrin ligjor shqiptar dhe detyrimet ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit.

Gati 13% e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se Kodi i Etikës nuk respektohet në fakultetin e tyre, për më shumë rreth 5% e studentëve thonë që Kodi i Etikës jo vetëm që nuk respektohet por ai nuk ekziston në fakultetin e tyre. Pjesa tjetër shprehet se kodi i etikës ose respektohet me raste (58%) ose që respektohet plotësisht (24%). Në këtë kontekst, studentët e nivelit bachelor janë më të shumtë që mendojnë se Kodi i Etikës respektohet plotësisht krahasuar me studentët e nivelit master.

Rreth gjysma e studentëve të Universitetit të Tiranës deklarojnë se nuk kanë informacion nëse ka një zyrë përkatëse në fakultet ku mund të drejtohen kur vërejnë një sjellje korruptive. Megjithatë, më shpesh studentët përmendin “përgjegjësin e departamentit ku ndodh shkelja” (37%) si vendin ku do të trokisnin për herë të parë kur duan të raportojnë një sjellje korruptive.

Detaje mbi projektin

Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare me mbështetjen financiare nga Programi për Grante të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Për më shumë se një vit në kuadër të këtij projekti u realizuan aktiviteteve me studentet e 5 Fakulteteve pilot të cilët u bënë pjesë e këtij studimi.

Ky studim është zhvilluar mbi bazën e të dhënave parësore të mbledhura me anë të anketës. Fokusi i kësaj ankete është Universiteti i Tiranës, konkretisht këto fakultete: Fakulteti i Ekonomisë, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Histori-Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

Të dhënat janë mbledhur duke intervistuar studentët e këtyre fakulteteve, të cilët janë nga degë të ndryshme, vite dhe nivele të ndryshme studimi. Mbledhja e të dhënave merr parasysh kampionimin sipas metodave bashkëkohore dhe si përzgjedhjen e individit në mbështetje të rregullave statistikore. Ky proces ka respektuar metodologjinë sipas të cilës të sigurohet një shpërndarje e rastit, e cila siguron që rezultatet e studimit të jenë përfaqësuese për të gjithë universitetin.

Qëllimi i këtij studimi është të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në universitete dhe ka këto objektiva:

Të bëjë një përshkrim të situatës së korrupsionit në Universitetin e Tiranës,

Të bëjë dallimin dhe të qartësojë kuptimin e korrupsionit nga studentët,

Të raportojë indeksin e ndërgjegjësimit dhe atë të perceptimit korrupsionit në universitete duke u mbështetur te opinioni i studentëve,

Të nxjerrë në pah dallimet që kanë faktorët të ndryshëm mbi perceptimin e korrupsionit,

Të nxisë debatin mbi korrupsionin në universitet dhe të ndihmojë në politikat kundër korrupsionit në universitet.

Për të lexuar raportin klikoni në linkun e mëposhtëm:

Korrupsioni në Arsimin e Lartë në Shqipëri, rasti iUniversitetit të Tiranës