Transmetuar më 09-11-2017, 22:16
Publicitet

Ndaj Turqisë këtë të hënë është vetëm ndeshje miqësore, por impenjimi në Antalia, ku është grumbulluar Kombëtarja, duket të jetë tejet i madh.

Nga Turqia, shihet të nisë një erë e re në Kombëtaren Kuqezi nën drejtimin e trajnerit Panucci.

Italiani po kërkon të njohë sa më shumë grupin që ka në dispozicion edhe pse koha nuk është e madhe.

Kombëtarja është duke vazhduar me dy seanca stërvitore dhe pritet që ndaj Turqisë të kemi një skuadër të ndryshuar në krahasim me atë që kemi parë në eliminatoret e Botërorit, të cilat i mbyllëm në vendin e tretë në grup.

Kombëtarja në Antalia, Panucci me dy seanca stërvitore në ditë

Skuadra kombëtare e futbollit vijon përgatitjet e saj në vigjilje të ndeshjes miqësore të 13 nëntorit me Turqinë, në Antalia. Prej ditës së djeshme, ajo ka vazhduar me stërvitjet në qendrën stërvitore “ARKADIA”, fare pak minuta larg nga rezidenca.

Sot në program trajneri Panucci kishte 2 seanca stërvitore, njërën prej të cilave e realizoi paradite. Ekipi kuqezi kishte një program të veçantë për mbrojtjen dhe më pas u vijua me grupin tjetër, atë të pjesës ofensive, të mesfushës dhe sulmit.

Me kombëtaren, që nga dita e djeshme në stërvitje ka dalë edhe futbollisti i sapogrumbulluar, Kamer Qaka, së bashku me futbollistin tjetër, Astrit Ajdarevic. Pas aspektit taktik, ekipi kaloi në disa ushtrime fizike. Seanca e radhës është programuar për sot pasdite, në orën 17:00, me orën lokale të Turqisë.

Migjen Basha, i vetmi i diferencuar në stërvitjen kuqezi

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka kryer sot pasdite seancën e dytë stërvitore në Antalya të Turqisë. Trajneri Christian Panucci ka pasur në program një ngarkesë të plotë të futbollistët duke u bazuar edhe në aspektin taktik.

Strategu italian i ka ndarë në dy grupe futbollistët gjatë stërvitjes taktike, duke e alternuar me ushtrime të ndryshme. Gjatë gjithë kohës trajneri ka qenë në komunikim intensiv me lojtarët në pjesën taktike të stërvitjes për lëvizjet e tyre me fushë.

Më pas, në 20 minutat e fundit është zhvilluar edhe një mini-ndeshje. Migjen Basha vijon të stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës, teksa ka bërë ushtrime të lehta gjatë pasdites, duke i kombinuar me një vrapim të lehtë.

Kombëtarja ka zhvilluar sot dy stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërkohë që për nesër është planifikuar vetëm një stërvitje gjatë pasdites. I vetmi që ka probleme fizike është Migjen Basha, i cili është dëmtuar prej dy javësh. Deri të hënën, ditën e ndeshjes, ai do të jetë i gatshëm, por pritet të aktivizohet vetëm një pjesë loje.

Largohet nga kombëtarja, Basha nuk bëhet për miqësoren me Turqinë

Futbollisti Migjen Basha nuk mund të riaftësohet dot për ndeshjen miqësore me Turqinë, e cila do të luhet më 13 nëntor. Pas disa seancave stërvitore të zhvilluara me lojtarin veçmas skuadrës, me një program të veçantë, mesfushori i ekipit kombëtar është larguar sot nga rezidenca e përfaqësuesja kuqezi në Antalia.

Ai do të vazhdojë të ndjekë fazën e rikuperimit pranë klubit të tij. Trajneri Panucci, pas një konsultimi me stafin mjekësor të kuqezinjve, vendosi që lojtari të largohet për shkak se koha e rikuperimit është e gjatë dhe lojtari nuk mund të jetë gati për këtë miqësore.

Gjatë këtyre ditëve, Migjen Basha është stërvitur veçmas, por ka rezultuar se koha e riaftësimit të tij zgjat jo pak. Ndërkaq, edhe për efekt kohe, trajneri Christian Panucci nuk do të thërrasë zëvendësues të ri, pas largimit të Bashës.

Loading...