Transmetuar më 09-11-2017, 22:38
Publicitet

Nga Alfred Peza

Në Tiranë dhe në Beograd sot kanë ndodhur dy zhvillime të pavarura nga njëra tjetra, por që bashkohen në një pikë. Ish Kryeministri Sali Berisha u citua gjerësisht nga mediat shqiptare në kryeqytet, të deklarojë se “ka një projekt Rama- Vuçiç, kundër shqiptarëve në rajon”. Ndërkohë mediat serbe përcillnin me entuziazëm lajmin e mbërritjes nëpërmjet ambasadorit rus në Beogradit, të ftesës për takimin mes Presidentit Putin dhe Kryeministrit Vuçiç në mesin e dhjetorit në Moskë. Çështja e bashkëpunimit ekonomik mes tyre dhe marrëdhëniet në Ballkanin Perendimor, citohen që të jenë temat kryesore të bisedimeve. Nëse i lexon të dyja njëkohësisht këto dy informacione, çdo njeri i painformuar fillon e bën lidhje nga më të hatashmet. Ndërsa për një mendie më racionale, fillon qëmtimi i informacionit me më shumë kujdes se më parë.

Ç’farë tha z. Berisha? Citoj: “Kam denoncuar me përgjegjësinë më të madhe qëndrimet albanofobe të Vuçiçit dhe Ramës ndaj shqiptarëve të Preshevës në këtë periudhë mjalti midis këtyre dy zyrtarëve më të lartë. Regjimi i Vuçiç ka marrë masa antishqiptare nga më të egrat që ka njohur Presheva, Bujanovci, Medvegja. Ai synon ripopullimin e këtyre trevave të pastra shqiptare me refugjatë nga trevat e tjera të Ballkanit. Në dhunim të ligjit dhe Kushtetutës, regjimi i Vuçiçit ka zëvendësuar udhëheqësit vendor legjitimë me vasalë të tij, të cilët marrin në një mbledhje 50 e ca vendime të diktuara nga Beogradi e të miratuara nga Edvin Kristaq Rama”.

Më ngacmoi më shumë kjo deklaratë, ndoshta për shkak se kam qenë pak muaj më parë, në krye të të parit delegacion zyrtar nga Parlamenti i Shqipërisë, me kolegë në mazhorancë e opozitë nga komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, për çështjen e furnizimit me tekstet në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptarë në shkollat e Luginës së Preshevës. Me ne ishte edhe i vetmi deputet shqiptar i Kuvendit të Serbisë, përfaqësues nga ambasada jonë në Beograd dhe shefi i zyrës së OSBE që mbulonte problematikat e kësaj linje dhe fushe. U takuam me drejtues të pushtetit lokal atje, drejtuesit politikë vendorë dhe vizituam disa nga shkollat në dy nivelet e arsimimit parauniversitar.

Dy gjëra perceptuam ne si çështjet kryesore që shqetësonin banorët shqiptarë të zonës: E para, lidhej me nevojën që ndjenin ata dhe drejtuesit shqiptarë atje, për praninën më të madhe e konkrete të të dyja shteteve shqiptare në Ballkan, si Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës. Por, për shkak të shumë arësyeve që meren me mend, sidomos për kujdesin e Tiranës zyrtare. Faktori politik shqiptar në terren ishte i përçarë, për të mos përdorur ndonjë term tjetër. Ndërkohë që në aspektin social, shtëpitë e shqiptarëve për shkak të një numri shumë të lartë emigrantësh, ishin ndër më të bukurat ndër trevat shqiptare, por pothuajse rrinin bosh. Ato, por edhe fshatrat, qytetet, rrugët dhe lokalet shqiptare tejpopulloheshin në gusht të çdo viti, kur riktheheshin emigrantët, që e shfrytëzonin më së shumti këtë periudhë për të zhvilluar një numër rekord dasmash.

Edhe mediat shqiptare shumë rrallë kanë informacione për shqiptarët e Luginës së Preshevës, aq sa edhe gazeta më e madhe online e shqiptarëve në Ballkan, postimin e fundit për të e kishte rreth dy muaj më parë, diku nga muaji shtator. Pa dashur të paragjykoj, nga informacionet në terren, nuk rezulton të ketë ndonjë lëvizje konkrete, rrezik real aq më tepër po të kemi parasysh se në rajonin tonë, edhe nga Tirana, Prishtina, Beogradi, Shkupi, Podgorica e gjetkë të rinjtë kanë përgjithësisht tendencën për të ikur në perëndim, e si vështirë duket që të dalin vullnetarë për të shkuar në një zonë jo shumë të lakmuar nga pikëpamja gjeografike, infrastrutkurore dhe e resurseve ekonomike, për të jetuar e punuar përgjithmonë.

Nëse nuk është ndonjë informacion i marë në mënyrë të njëanshme nga segmente apo liderë politikë lokalë atje, që kërkojnë të shfrytëzojnë kanalet e rëndësishme të komunikimit politik në Tiranë, për nevojat e tyre jetike të luftës me kundërshtarët në Luginë, atëherë informacioni që bëri publik z. Berisha është vërtetë shumë shqetësues. Aq sa meriton jo deklarata të thjeshta përpara mikrofonëve, por edhe mbledhjen e këshillit të sigurisë sonë kombëtare, séance të posaçme në Komisionet Parlamentare të politikës së jashtme apo edhe ato të rendit e sigurisë, thërritjen nga Ministria e Jashtme të Ambasadorit të Serbisë, ngritjen e shqetësimit në këshillin e NATO-s dhe në BE, etj.

Historia e Shqipërisë, është e mbushur me aq shumë akuza e kundërakuza liderësh politikë kundër njëri- tjetrit për tradhëti ndaj atdheut e për shërbim ndaj fqinjëve dhe fuqive të tjera të huaja armike, sa ky term gati është zhvlehtësuar më shumë se çdo gjë tjetër, edhe ashtu pa pikën e vlerës në bursën e shpërdorimit të fjalës shqipe. As Skënderbeu, as Ismail Qemali, As Noli, as Zogu, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama e shumë të tjerë, nuk i kanë shpëtuar akuzave për tradhëti, për shitje dhe verpime me qëllime antishqiptare. Udhëheqësit e tjerë politikë shqiptarë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, edhe më shumë së të gjithë liderët e Tiranës zyrtare të mare sëbashku.

Jetojmë në një hapësirë ku kultura jonë politike apo mënyra jonë e të funksionuarit si shoqëri e paska të pamundur me sa duket, që të mos na bëjë si në një mallkim të hershëm, që të shohim armiq gjithandej rreth e rrotull nesh, e sidomos tek kundërshtari përballë. Arbën Xhaferri e përcaktonte si ai këtë gjë, kur shkruan se jetojmë në një truall ku “në darkë mund të ngrysesh si hero dhe në mëngjes, të gdhihesh si një tradhëtar”.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al

Loading...