Transmetuar më 10-11-2017, 08:53

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar gjatë natës në zonën e njohur të ish-Bllokut në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:05, kur në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën "Brigada e 8" ka një konflikt dhe ka të shtëna me armë zjarri.

Si pasojë e konfliktit mes disa të rinjve ka mbetur i dëmtuar shtetasi Erlis Duka, 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili nuk ka dëmtime me armë zjarri, por dyshohet të jetë dëmtuar nga goditjet me grushta.

Erlis Duka, është dërguar për ndihmë mjekësore, ku më pas është arrestuar për veprën penale "Moskallëzim Krimi".

Gjatë konfliktit njëri prej shtetasve të përfshirë në konflikt ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja arme zjarri.

Janë shoqëruar në ambientet e policisë 15 persona për sqarime dhe verifikime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. /b.l/noa.al/