Transmetuar më 10-11-2017, 10:58
Publicitet

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar lidhur me fjalimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve duke e cilësuar atë një fjalim kriminal. Përmes një statusi në Facebook Basha thekson se me të tilla fjalime, Rama është duke nxitur dhunën dhe urrejtjen ndaj gazetarëve.

“Fjalimi i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetarëve është fjalim kriminal. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur për ditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve.

Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar. Vetëm pak ditë më parë në Maltë u vra në mënyrë barbare një gazetare që hetonte kryeministrin”, u shpreh kreu i demokratëve.

Më tej ai shtoi se klima që krijon Rama inkurajon sipas tij pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin.

“Njeriu që ka thurur vetëm lavde dhe përkëdheli për Elvis Roshin, Saimir Tahirin dhe kriminelët e tjerë më të cilët rrethohet, duhet të ndalë menjëherë gjuhën e tij të rrezikshme”, tha Basha.

Në fund të reagimit të tij Basha i bën thirrje të gjithë qytetarëve, intelektualëve, gazetarëve dhe politikanëve ta denoncojnë dhe të mos heshtin përballë kësaj sjellje kriminale të kryeministrit.

“U bëj thirrje organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj që të dënojnë këtë gjuhë urrejtje dhe të dhunshme të kryeministrit”. /b.l/noa.al/