Transmetuar më 10-11-2017, 11:57

Është mbledhur sot për herë të parë Komisioni për Reformën Zgjedhore në Kryesinë e Kuvendit. Kreu i parlamentit, Gramoz Ruçi, në fjalën hapëse të tij tha se ky komision është me rëndësi të madhe, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që në këtë Komison të bëhet më shumë punë se sa politikë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i zgjedhjeve. Puna e këtij komisioni ka një rëndësi të madhe. Është risi që mblidhet ky komision për përmirësimin   e kuadrit ligjor zgjedhor. Komisioni do të mbështetet jo vetëm tek rekomandimet e OSBE/OHDIR. Zgjedhjet e reforma zgjedhore kërkojnë vullnet politik, konsensus kjo ka filluar është pozitiv fakti që ky komision i kërkuar nga opozita në mënyrë konsesnsuale.”, tha Ruçi.

Në mbledhjen për konstituimin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, opozita përsëriti qëndrimin e saj se votimi dhe numërimi elektronik është e vetmja zgjidhje për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

“E fillojmë sot që nesër të mos thoni nuk kishte kohë, që të mos blihet vota, mos manipulohet vota. Sistemi të garantojë identifikimin biometrik, votimin dhe numërimin elektronik. Kjo duhet të jetë kryefjalë për të zgjidhur të gjitha problemet e tjera, përfshirë financimi dhe listat e zgjedhësve, apo votimi i emigrantëve që nuk do të jetë kurrë i suksesshëm nëse ne nuk garantojmë votimin e lirë dhe të ndershëm në Shqipëri”, deklaroi ai. tha Bylykbashi.

Por Blendi Çuçi ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, teksa deklaroi vullnetin e PS për adresimin e të gjitha problemeve që lidhen me zgjedhjet.

“Qytetarët folën qartë, i dhanë PS një mandat të qartë qeverisës. Edhe ndërkombëtarët, folën qartë, para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Shqiptarët vlerësuan marrëveshjen Rama-Basha. Para zgjedhjeve opozitës iu dha gjysma e qeverisjes. Sipas ndërkombëtarëve, zgjedhjet e fundit ishin më të qetat e mbajtura ndonjëherë dhe pavarësisht problemeve, ato nuk e delegjitimojnë legjitimitetin e mazhorancës. 

PS ka vullnet të qartë për adresimin e të gjitha problemeve që lidhen me zgjedhjet. PS ulet në këtë tryezë pa asnjë paragjykim apo parakusht të panegociueshëm. Nëse është e mundur aplikimi i teknologjisë në zgjedhje, ne jemi gati. Të vendosin ekspertët dhe partnerët e huaj”, deklaroi Blendi Çuçi

Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore do ketë 18 anëtarë, 9 nga maxhoranca dhe 9 nga opozita. Bashkëkryetar do jenë Bledi Çuçi nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD.