Transmetuar më 10-11-2017, 13:50
Publicitet

Johannes Hahn pret që progres-raporti i prillit të vitit që vjen për Shqipërinë të jetë pozitiv. “Nuk ka ‘feedback’ negativ për të, prej asnjërit nga vendet anëtare”, sqaroi Komisioneri europian i Zgjerimit në një intevistë dhënë “Deutsche Welle”-s.

“Por Shqipëria, – shton ai, – duhet të zgjidhë problemin e azilkërkuesve në vendet e BE-së, pasi ai dëmton reputacionin e saj në opinionin publik të vendeve anëtare. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në rrugën e duhur”.

Hahn përforcoi më tej mesazhin e përcjellë në Tiranë se, liria e medias është element kyç për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

“Kemi shumë probleme në Ballkanin Perëndimor sa i takon ndihmës së dhënë gazetarëve dhe mbështetjes së tyre në kualifikimin profesional. Kjo është një gjë, – shpjegoi ai. Çështja tjetër është se liria e shprehjes konsiderohet një nga elementët kyҫ të procesit të integrimit”.

“Me vendet kandidate për anëtarësim të Ballkanit Perëndimor, me të cilat kemi filluar negociatat e anëtarësimit, po shikojmë kapitujt 23 dhe 24, që merren pikërisht me lirinë e medias, shtetin e së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit. Po i kryejmë negociatat duke i mbyllur këto kapituj, që nga fillimi deri në fund, duke u kujdesur për lirinë e shprehjes dhe të medias. Dhe kjo është një nga elementët e shumtë që ndihmon për të përmirësuar cilësinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, ishte komenti i Komisionerit europian të Zgjerimit.

Por sa janë gjasat, që strategjia e shndërrimit të medias në një fuqi transformuese në procesin integrues të funksionojë vërtet, nisur nga sfidat aktuale?“

Fuqia transformuese e medias po, por unë preferoj të flas për procesin dhe jo për negociata. Ndryshimi i sjelljes, i qëndrimit kërkon kohë. Një zhvillim pozitiv, ku mund të shihen arritje, është lufta kundër korrupsionit. Nuk është vetëm e nevojshme të jetë në fuqi një legjislacion i duhur, por që ky legjislacion edhe të zbatohet”, tha më tej Hahn.

Bashkëpunimin rajonal e përshkruan si një tjetër instrument, një mjet dhe element për të nxitur vendet të punojnë së bashku, e kjo do të thotë më shumë mundësi për të përballuar sfidat e më pak oreks për luftë ndaj njëri-tjetrit.

Loading...