Transmetuar më 11-11-2017, 16:07
Publicitet

12 studentë të ardhur nga vende me histori luftërash e konfliktesh kanë lënë pas të shkuarën dhe kanë dhënë një mesazh të fortë paqeje dhe tolerance në një spot mjaft të veçantë.

Ka qenë pikërisht ideja e një të riu shqiptar, Arlind Cara i cili studion dhe punon në Universitetin e Lirë të Brukselit, VUB, që të bëjë bashkë studentët e ardhur nga 4 kontinente të botës.

Pjesë e kësaj videoje frymëzuese janë edhe i riu shqiptar që studion në VUB, Anton Gurra së bashku me një studente serbe të quajtur, Aleksandra.

Ky spot është transmetuar në hapjen e vitit akademik të VUB në shtator të këtij viti ku është mirëpritur nga një audience prej 2500 personash në “Bozar” një nga sallat më të njohura të kulturës në Bruksel dhe Belgjikë.

“Përqafo Diversitetin, Përqafo Botën” është slogani i këtij spoti.

Për projektin e shkurtër filmik, i cili ka zgjatur rreth 6 muaj, janë angazhuar një grup xhirimi profesionist; regjisori Hans Vanderwijngarden, kameramani Jean Mari Werion, tekniku audio Georgios Patsis dhe animuesja Leen Asselman.

Një element tjetër i veçantë i këtij spoti është edhe kolona zanore e cila është një instrumental i këngës së famshme “Imagine” të John Lenon që njihet botërisht si një himn i paqes.

Shihni videon e mëposhtme./a.k/noa.al/