Transmetuar më 13-11-2017, 07:58

Presidenti Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie të zhvilluar në Teatrin Kombëtar, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” me rastin e 60-vjetorit të krijimit Ansamblin Popullor për kontributet e çmuara dhe interpretimet e shkëlqyera në më shumë se gjysmë shekulli, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të patjetërsueshëm në zhvillimin artistik e kulturor në mbarë vendin.

Për rolin e luajtur si ambasador i kulturës jashtë Shqipërisë, nëpërmjet përcjelljes së vlerave më të qenësishme të folklorit shqiptar e trashëgimisë sonë shpirtërore në të gjithë botën.

Gjithashtu Presidenti çmoi me dekoratën “Nderi i Kombit” kërcimtarin, dhe mjeshtrin e valles popullore shqiptare zotin Besim Zekthi në vlerësim të kontributit shumëvjeçar si solist me nivel të lartë interpretativ dhe mjeshtëri të veçantë artistike të valleve shqiptare; për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin tek brezat e artistëve të rinj, si dhe për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore jashtë vendit.

Në fjalën e tij Meta tha se, folku shqiptar përbën një pasuri të jashtëzakonshme të kombit tonë dhe se ai është dalluar gjithmonë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike të tij.

“I dashur Besim, Të gjithë ne i kemi të ngulitura në kujtesën tonë interpretimet e tua mahnitëse të “Valles së Shqipeve” apo “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, kur vrulli i brendshëm të jepte krahë dhe të bënte të fluturoje pa u ndalur porsi një shqipe krenare. Talenti i rrallë dhe mjeshtëria jote virtuoze interpretuese kanë qenë dhe mbeten jo vetëm shfaqje artistike të jashtëzakonshme, por edhe burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të artistëve dhe valltarëve shqiptarë, dhe jo vetëm”, u shpreh kreu i shtetit.

Presidenti Meta tha se ka kënaqësinë e veçantë që gjatë kësaj mbrëmjeje të bukur festive (e diel), të vlerësojë me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” valltarin dhe koreografin e shquar, Besim Zekthi dhe me rastin e 60-Vjetorit, Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. /a.y/noa.al