Transmetuar më 15-11-2017, 19:20

Banka e Shqipërisë, bashkohet me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore duke e konsideruar si pa ndikim efektiv, ndryshimin fiskal që qeveria synon të zyrtarizojë në vitin 2018.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke folur sot në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi projektbuxhetin 2018, shprehu dhe qëndrimin e institucionit shtetëror financiar që ai drejton lidhur me ndryshimet në tatime dhe dogana.

“Efekti fiskal i vlerësuar i ndryshimeve në legjislacionin tatimor e doganor duket të jetë i vogël. Duke u bazuar në këto vlerësime, ndikimi i pritur i masave fiskale në inflacion pritet të jetë relativisht i ulët dhe kalimtar”, – deklaroi z.Sejko citon noa.al.

_dsc8543-kef

Më herët ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që u shpreh kundër planit të të qeverisë për uljen e pragut të regjistrimit për Tatimin e Vlerës së Shtuar, një masë që sipas FMN, rrezikon të zhysë në kaos administratën tatimore dhe një numër të konsiderueshëm biznesesh.

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri Jens Reinke bëri një dalje të rrallë në media për të deklaruar për revistën ekonomike Monitor se institucioni i tij ka “këshilluar fort” qeverinë shqiptare të mos e ulë pragun e regjistrimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, një masë që u shpall fillimisht më 5 tetor nga kryeministri Edi Rama dhe që aktualisht mbështetet vetëm nga një numër i vogël zyrtarësh ose personash joekspertë nga fusha e biznesit.

“Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet tek taksapaguesit e mëdhenj”, tha Reinke.

Reinke tregoi gjithashtu se qeveria pati mbërritur në fillim të shtatorit me propozimin për ta bërë pragun e regjistrimit në TVSH zero, gjë që do të thotë që edhe një tregtar fruta-perimesh, apo një berber do të detyrohej të regjistrohej si subjekt i TVSH-së, por nga propozimi i parë në shtator, deri tani, qeveria duket se kuptoi pjesërisht absurditetin e këtij propozimi dhe në variantin aktual, propozon që pragu të jetë 2 milionë lekë, gjë që e rrit numrin e bizneseve në TVSH nga 21 mijë, në rreth 30 mijë.

Megjithatë, një propozim alternativ dhe shumë i logjikshëm është që qeveria do të bëjë mirë ta rrisë pragun e TVSH-së nga kuota aktuale 5 milionë lekë, fjala vjen, të bëhet 15 milionë ose 20 milionë, në mënyrë që numri i bizneseve nën këtë taksë të ulet dhe tatimorët të kenë mundësi të menaxhojnë më mirë një numër më të vogël tatimpaguesish të TVSH-së”, – u shpreh z.Reinke.

Pak ditë para z.Reinke, Dhoma Amerikane e Tregtisë, një institucion lobimi ku bëjnë pjesë disa nga bizneset më të mëdha në vend, shprehu gjithashtu opinionin e saj kundër masës së qeverisë, duke argumentuar se ka një shqetësim se sa e përgatitur është administrata tatimore për menaxhimin dhe kontrollin e më shumë subjekteve të TVSH-së si dhe me logjikën ekonomike, sa para shtesë mund të mbledhë buxheti i shtetit në raport me koston shtesë që mbart për administratën tatimore mbledhja e këtyre taksave shtesë. Dhoma Amerikane tërhoqi gjithashtu vëmendjen se jo vetëm ulja e pragut është një masë me vlerë të dyshimtë nga ana logjike, por edhe mënyra përmes të cilës qeveria ka vendosur ta bëjë këtë gjë, mund të jetë në shkelje të Kushtetutës.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është një nga dy taksat më të rëndësishme në Shqipëri krahas akcizave. TVSH jep çdo vit gati një të tretën e të gjitha të ardhurave të buxhetit të shtetit. TVSH është gjithashtu një nga taksat më të komplikuara për administrim. Ndërsa akciza është një taksë fikse që arkëtohet nga qeveria në çastin e prodhimit ose të importimit të një produkti, TVSH-ja duhet t’i mblidhet fillimisht prodhuesit ose importuesit, pastaj tregtarit me shumicë, pastaj atij me pakicë deri te konsumatori final. Secila prej këtyre hallkave ka të drejtë që, nga njëra anë të faturojë dhe paguajë TVSH në çastin e shitjes dhe nga ana tjetër, të kompensohet nga tatimet për TVSH-në e paguar në çastin e blerjes, me qëllim që në instancë finale, për asnjë produkt të mos paguhet dy herë TVSH.