Transmetuar më 21-11-2017, 17:57

Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, Presidenti Ilir Meta ishte në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

I mikpritur nga Kryetarja e Komunës Natasha Petrovska, me të cilën zhvilloi fillimisht edhe një takim si dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, Presidenti Meta vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pastaj mori pjesë në simpoziumin e zhvilluar me rastin e 109-vjetorit të kësaj ngjarje të shënuar historike për kombin shqiptar.

“Njëqind e nëntë vjet më parë, në qytetin e vjetër të Manastirit, përfaqësuesit më të spikatur e të mençur të Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtarë të shquar, të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore dhe atdhetare, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, alfabetit të gjuhës shqipe.

22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, momenti kyç e përbashkues që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore”, u shpreh Meta.

Më tej Meta theksoi se pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi pikën më kulmore të organizimit politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë që do t’i paraprinte shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.

“Kongresi i Manastirit, vlerësohet me të drejtë për rëndësinë e tij politike e kulturore, por dy janë arritjet më kryesore të tij, akti historik i institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe përqafimi i modelit të alfabetit perëndimor, alfabetit latin.

Ndaj edhe sot, pas njëqind e nëntë vjetësh, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, kryeqytetit të alfabetit shqip, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne”, tha Meta.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. /b.l/noa.al/