Transmetuar më 21-11-2017, 19:53

 Nuk kanë fund telashet për ish-Kreun e Federatës Italiane të Futbollit Karlo Tavekio. Një ditë pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i Federatës, për shkak të eleminimit të turpshëm të Italisë nga Kupa e Botës Rusi 2018, Tavekio është vënë nën akuzë këtë të martë për ngacmim seksual.

Sipas "Corriere della Sera", një grua, anëtare e Federatës ka dëshmuar se si Tavekio e ka ngacmuar atë seksualisht, në zyrën e këtij të fundit.

Gruaja ka treguar se si një ditë ajo erdhi në zyrë për të folur për punën, por Tavekio u përpoq ta prekë atë dhe pavarësisht protestave të saj, ai mbylli perdet e zyrës për të mos u parë.

"Dhe kjo është vetëm një episod, mund të them shumë më tepër. Dhe për ta provuar do të ketë regjistrime audio dhe video." ka treguar gruaja për gazetën italiane "Corriere della Sera"

Lidhur me këto deklarata Prokuroria e Romës ka marrë në shqyrtim dëshminë e gruas dhe sipas mediave italiane, së shpejti do të ketë edhe procedim penal ndaj ish-zyrtarit të lartë të futbollit italian. (e.c/noa.al)