Transmetuar më 22-11-2017, 08:59

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure duke reklamuar shëndetësinë.

Duke publikuar një video në Facebook, ai iu bën jehonë ndryshimeve në sistemin shëndetësor, pajisjeve të shtuara dhe përmirësimit të shërbimit.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë tjetër hap të vogël në rrugën e drejtë për shëndetësinë dhe Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.

Por teksa sistemi shëndetësor është një ndër më të kritikuarët dhe më problematikët në vend, qytetarët i janë sulur dhe e kanë “mbytur” me komente kreun e qeverisë.

“Po ku ka shëndetësi në Shqipëri aman, do ti marrësh të gjitha nga shtëpia, edhe po e gjete doktorin esëll”, shkruan një qytetare.

Një tjetër shton, “Shëndetësia tek ne ka mbërdhih me kohë, po si dorovite s’të shohin me sy. Mjekët që duhet të jenë human, janë më indiferentë dhe moskokëçarës ndaj të sëmurëve”.

“Tani që ke vënë ushtarët tuaj për drejtimin e spitaleve, të shohim sa ndryshim do ketë…”, vijon një tjetër koment.

Po ashtu një tjetër qytetar shkruan, “Ku e ke shëndetësinë, sa të futesh brenda aty që te pastruesja e deri sa të mbarosh punë me doktorat e tjerë, vetëm lekë duan. Se ku e shef ti shëndetesinë nuk po e kuptojmë”.

Edhe më ironik dhe i hidhur vjen një tjetër reagim, “O njish po me këtë shëndetësi që kemi ne, gjermanët po vinë për kurim tek ne bravo zoti Kryeministër… kjo është shëndetësia që na premtove”.

“Edo doktorët po ata janë, si në kohën e Saliut dhe tani në qeverinë tënde. Ujku qimen ndërron zanatin se harron. Doktorët janë mësuar me ta rrjepur popullin dhe tani po atë punë bëjnë prapë s’ka ndryshuar gjë dhe as në arsim. Edo ke akoma mësues që nuk dinë tabelën e shumëzimit e jo të mësojnë femijët. Prandaj hap sytë sepse lycat që ti mban mbrapa të gënjejnë për cilësinë e punës që ata bëjnë, prapë vendet e punës me lek blihen. Asnjë gjë s’ka ndryshuar, kazan jeni të gjithë”, shkruan një tjetër. /a.y/noa.al