Transmetuar më 22-11-2017, 12:25

Ratko Mlladiç është shpallur fajtor nga Gjykata e Hagës ditën e sotme duke u dënuar me burgim të përjetshëm.

Ish komandati i forcave serbe të Bosnjës është përballur me 11 akuza përfshi këtu dhe krime kundër njerëzimit, vrasje, torturë, dhunime, shfarosje dhe bombardime.

Ai është shpallur fajtor për masakrën e Srebrenicës në 1995 ku u ekzekutuan 7 mijë burra e djem myslimanë boshnjakë si dhe për rrethimin e Sarajevës ku vdiqën rreth 10 mijë persona.

Ndërsa po lexohej vendimi Mlladiç u nxorr nga salla e gjyqit pasi i bërtiti gjyqtarit. Dëbimi i tij ndodhi pasi gjykatësi refuzoi një kërkesë nga avokati i tij për të shtyrë seancën për arsye shëndetësore.

I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, Mlladiç është i akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Mlladiç mbahet përgjegjës për ekzekutimin e 8 mijë burrave myslimanë në korrik të vitit 1995, që njihet si mizoria më e madhe e kryer në Evropë pas Holokaustit.

Vendimi për Mlladiçin do të jetë gjykimi i fundit nga tribunali që ishte themeluar në Hagë në vitin 1993 për dënimin e krimeve të kryera në luftërat Ballkanike në vitet e 90-ta. Mlladiç i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij. /b.l/noa.al/