Transmetuar më 23-11-2017, 09:45

Ka nisur sot procesi mësimor në shkollën e mesme "Rifat Manjani" në fshatin Shupenzë të Bulqizës.

Procesi mësimor u ndërpre prej të premtes së kaluar pasi mbi 60 nxënës shfaqën probleme shëndetësore pas vënies në punë të kaldajës së re dhe bllokimit të oxhaqeve që mbushën klasat me tym dhe gazra.  

Rreth 60 nxënës u shtruan në spital dhe morën mjekimin e duhur. Më pas u vendos testimi i kaldajës me pelet dhe sot u vendos që procesi mësimor të rifillonte.

Në ambientet e shkollës specialistë të ISHP-së vendosën aparatura për matjen e ndotjes. Sistemi i ri i ngrohjes u testua dhe nuk paraqiti problem. Sipas ISHP-së kaldajat funksionojnë normalisht dhe nuk paraqesin rrezikshmëri.

Nxënësit e shkollës së mesme pas asfiksimit morën ndihmë mjekësore në spitalet e Bulqizës e Peshkopisë, ndërsa një 16 vjeçare u soll në Tiranë për trajtim të specializuar.

Dhjetëra nxënës të tjerë morën ndihmë ambulatore dhe u kthyen në banesë. Shkak për ngjarjen që mori përmasa alarmante dyshohet se u bë ndezja e kaldajës me pelet në një kohë kur oxhakët e pastrimit ishin të bllokuar. /b.l/noa.al/