Transmetuar më 23-11-2017, 10:55

Edhe pse një ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi urdhër -arrestet për tre ish-zyrtarët e policisë, ende nuk ka asnjë ekzekutim për arrestimin e tyre. SHÇBA ka dyshime se operacioni është dekonspiruar. 

Duke marrë shkas nga ky dështim, ka nisur hetimi për dekonspirim pasi operacioni që u ndërmor mbrëmjen e djeshme rezultoi pa sukses. Jaeld Çelën, Sokol Boden dhe Gjergj Kohilën dyshohet se janë përfshirë në trafikun e kanabisit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka firmosur urdhër-arrestet për 3 ish-drejtues të Policisë së Vlorës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në çështjen “Habilaj”, për të cilën është nën hetim edhe ish-ministri Saimir Tahiri.

Gjatë hetimeve të dosjes “Habilaj” tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë dyshohet se me mosveprimet e tyre kanë lejuar vëllezërit Habilaj të kultivojnë kanabis sativa. Ndërsa ka dyshime edhe për favorizimin e tyre në trafikimin e sasive të konsiderueshme të drogës në drejtim të Italisë.

Shërbimi për Çështjen e Brendshme dhe Ankesat ka dyshime se operacioni është dekonspiruar, ndërsa do të verifikohen oficerët që kishin dijeni për urdhrat. Nga kontrollet e ushtruara dje, ish-zyrtarët nuk u gjetën në banesë. Burime për "Nrews24" bëjnë me dije se njëri nga ish-zyrtarët dyshohet se është larguar jashtë vendit.

Burime nga Prokuroria thanë se akuza që rëndon mbi këta ish-zyrtarë nga Policia është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabisit në Qarkun e Vlorës. Të tre ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës kanë shërbyer atje gjatë viteve 2014- 2016. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për arrestimin e tyre nga Policia.