Transmetuar më 23-11-2017, 11:43

Mbledhja e sotme e Komisionit të Ekonomisë është përfshirë nga debate dhe sherre mes deputetëve.

Kanë qenë dy deputetët Agron Shehaj nga radhët e Partisë Demokratike dhe Erjon Braçe nga PS, që kanë debatuar ashpër mes tyre, duke bërë që të ndërhyjë Garda për të qetësuar situatën.

Deputeti demokrat i është afruar kreut të komisionit, Braçes, i tensionuar por ka qenë një gardist që ka ndërhyrë menjëherë, duke kapur për krahësh deputetin Shehaj për ta larguar.

Menjëherë pas kësaj situate, Shehaj është larguar nga salla e Kryesisë, ku po mbahet mbledhja e komisionit.

Mësohet se në momentet që ka nisur të tensionohet situata ka qenë duke u diskutuar për organet e vettingut, ku e pranishme ka qenë edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Aty ka ndërhyrë deputeti demokrat, i cili ka thënë se këto organe nuk do të jenë të pavarura dhe pas kësaj deklarate situata është tensionuar, duke gjeneruar në përplasjen e dy deputetëve.