Transmetuar më 23-11-2017, 12:12

Zyrat e Punës dhe roli i tyre do të ridimensionohen si objektiv i qeverisë për të nxitur punësimin.

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria ka një program tepër agresiv në mbështetje të punësimit, por përsëriti thirrjen drejtuar sipërmarrjes për të mos iu shmangur detyrimeve ndaj shtetit dhe punëmarrësit.

“Praktika ‘një pjesë po ta jap me letra dhe një pjesë në të zëzë’, duhet të marrë fund. Sipërmarrjet nuk duhet t’u shmangen më detyrimeve ndaj shtetit, që dëmtojnë punëmarrësin”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se reforma në arsim ka nisur të reflektohet në punësim. “Arsimi profesional ka nisur të japë frutet e para, por thellimi i reformës është i domosdoshëm dhe do të na sjellë shumë më tepër rezultate në katër vitet që kemi përpara”, u shpreh ai.

Rama iu rikthye edhe një herë “plagës” së mungesës së profesionistëve në tregun e punës. "Dje më vizitoi një sipërmarrës që ka bërë një investim të konsiderueshëm për përpunimin e metaleve dhe më tha se ka planifikuar 800 vende pune dhe deri tani ka mundur të punësojë vetëm 170 persona.

Pyetjes sime se për çfarë arsye sipas atij nuk po arrin të plotësojë vendet vakante, i dha të njëjtën përgjigje që mund të marrësh nga çdo sipërmarrës në Shqipëri që ka të njëjtën përvojë.

Nga njëra anë është mungesa e kualifikimeve të krahut të punës dhe nga ana tjetër mungesa e dëshirës për të punuar e për t’u lodhur në sektorin privat. Duan punë, por në shtet, jo privat", tha Rama. /b.l/noa.al/