Transmetuar më 23-11-2017, 12:59

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ashtu si dy ditë më parë vazhdon të akuzojë Kryeministrin Edi Rama se për faj të tij, Shqipëria rrezikon të paguajë rreth 2 miliardë euro për prishjen e disa kontratave.

Deputeti i LSI tha se kjo shumë parash është një tërmet financiar për ekonominë e vendit duke na kujtuar vitin 1997.

Vasili i ka bërë të njëjtën thirrje Ramës duke e akuzuar se nuk flet nga frika e madhe pasi e di që ky skandal e rrëzon nga pushteti brenda 24 orëve.

“Kryeministër boll u trembe, fol për 2 miliardë eurot, kursejua shqiptareve një 97′ të dyte! Skandali i 2 miliard eurove është me i rendi, qe mund te imagjinohet. Kryeministri e ka prej kohësh në tavolinë. Kryeministri nuk flet nga frika e madhe për pushtetin e tij sepse e di mirë që ky skandal i 2 miliard euro-ve e rrëzon për 24 orë”, shkruan Vasili në Facebook.

Më tej shton, se Rama është përgjegjës direkt për disa nga këto gjyqe pasi i ka frymëzuar e mbështetur personalisht veprimet antiligjore dhe për demin kolosal financiar që ka ardhur prej këtyre veprimeve.

Në vijim deklaron se skandalin nuk e ka zbuluar opozita, por Avokatura e Shtetit, e cila sipas tij, e ngriti me shumë të drejtë dhe përgjegjshmëri këtë aferë gjigande.

“Humbja e 2 miliardë eurove është një tragjedi me dimensione politiko-shoqërore të ngjashme me tragjedinë e vitit ‘97. Kryeministri lodhet kot duke u fshehur. Të gjithë e dinë që kur të ndodhë kjo tragjedi, Kryeministri do të ikë duke i lënë pas zjarrin Shqipërisë, njelloj si ata që në ‘97 pasi i vunë zjarrin ikën nga vendi. Shqipëria dhe shqiptarët lënguan për vite të tëra pasojat e ‘97”, shkruan ndër të tjera Vasili.

Ai deklaron se ndaj Kryeministri nuk ka asnjë të drejtë që të heshtë më, sepse Shqipëria nuk është pronë e tij.

“Kryeministër kurseja Shqipërisë një ‘97 të dytë”, shkruan në mbyllje ligjvënësi i LSI. /a.y/noa.al