Transmetuar më 23-11-2017, 18:43

Tre persona janë shoqëruar në komisariat pas konstatimit se ushtronin veprimtari të kundraligjshme të shitjes së lëndëve narkotike.

Policia e Tiranës njofton se ka ndaluar në kushtet e flagrancës, në rrugën “Ibrahim Rugova”, Elia Shahu, 21 vjeç, banues në Tiranë, dhe Fatjon Ormani,  21 vjeç, banues në Tiranë. Këta dy shtetas ushtronin veprimtarinë e kundraligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit "Cannabis Sativa“,  kryesisht në shkollat  e mesme, si dhe në zona të ndryshme në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit fizik të tyre, u sekuestrua një sasi prej 26.8 gram lëndë narkotike, e dyshuar kanabis.

Ndërkohë, në Paskuqan, është ndaluar edhe një tjetër person, Elton Laçi, 24 vjeç, nga Tirana.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe lokalin e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 kg e 357 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit "Cannabis Sattiva", 1 armë gjahu teke, 4 fishekë model 56, një automjet tip “Ford”, dhe një aparat celular.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor, Tiranë. /k.k/noa.al/